Policia e Durrësit ka arrestuar sot Feta Matajn, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare Filiali Durrës, Eliabeta Mataj.
Feta Mataj, i cili pak kohë më parë ai u emërua në detyrën e zv.drejtorit të ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës, është arrestuar nga krimi ekonomik, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.
Arrestimi është bërë pasi gjatë marrjes në pyetje, një punonjëse e filialit të postës ka deklaruar se Feta Mataj, burri i drejtoreshës u kërkonte çdo muaj punonjëseve shumën prej 25 mijë lekëve.
Kujtojmë se Elisabeta Mataj akuzohet për përvetësimin e mijëra eurove nga Posta Shqiptare Filiali i Durrësit, dhe aktualisht ndodhet nën masën e ‘arrestit në shtëpi’.
Mataj ndodhej në paraburgim prej 18 korrikut, nën hetim për dyshimet mbi vjedhjen në bashkëpunim përmes shpërdorimit të detyrës të 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Burimi: botasot.info


