12 të lënduar dhe një viktimë ishte bilanci i aksidentit tragjik të një dite më parë në autostradën Tiranë–Durrës.
Ditën e sotme është përmirësuar gjendja shëndetësore e shumë prej të lënduarve.
Sipas informacioneve zyrtare nga Spitali i Traumës, tashmë gjashtë prej tyre janë liruar nga spitali dhe po trajtohen në shtëpitë e tyre.
Edhe pacientët që ishin në gjendje të rëndë dhe iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale kanë shënuar përmirësim.
Katër prej tyre kanë dalë nga reanimacioni dhe janë shtruar në pavione, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, vijon të jetë kritike gjendja shëndetësore e 8-vjeçarit të intubuar dhe e turistes 56-vjeçare, me nënshtetësi çeke dhe origjinë vietnameze.
Të dy kanë pësuar dëmtime të shumta si pasojë e përplasjes me barrierën metalike.
Nga aksidenti tragjik i një dite më parë humbi jetën drejtuesi i furgonit të linjës Berat–Tiranë./
Burimi: botasot.info


