Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar hetime intensive lidhur me dyshimet për veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe grumbullimit të provave materiale është identifikuar i dyshuari mashkull kosovar ndaj të cilit nga provat e siguruara është ngritur dyshimi i arsyeshëm se i njëjti merret me veprimtari të kundërligjshme lidhur me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë veprimtari të kundërligjshme të personit të dyshuar, me datën 03.09.2026 është lëshuar urdhëresë për kontrollimin e vendbanimeve të të lartcekurit, ku gjatë zbatimit urdhëresës njësitë policore kanë lokalizuar dhe arrestuar personin e dyshuar të përfshirë në rast, si dhe kanë kontrolluar dy lokacione në pronësi të të njëjtit në Prishtinë.
Gjatë kontrollit në këto dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale si; Para të gatshme në vlerë 41.655 euro dhe 20 franga zvicerane, dy telefona, USB, llaptop, 10 vula të ndryshme, 49 kartela gërvishtëse, një veturë, si dhe dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin.
Në lidhje me rastin pas përfundimit të procedurave të parapara i dyshuari me vendim të prokurorit të çështjes është dërguar në ndalim prej 48 orësh.
Burimi: botasot.info


