Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi përmes një postimi në Fejsbuk përkujtoi se sot hyn në fuqi ligji që u lejon studentëve dhe pensionistëve të angazhohen në punë sezonale dhe të përkohshme në këtë rast pa humbur përfitimet që u takojnë.
“E fillojmë vitin me lajme të mira! Sot, më 1 janar, fillon zbatimi i ligjit që e vendos punën sezonale dhe të përkohshme në një kornizë të qartë ligjore, që do të thotë më pak ekonomi gri. Studentët dhe pensionistët tani mund të angazhohen në punë sezonale dhe të përkohshme pa frikë se do të humbasin të drejtat ose përfitimet që u takojnë”, shkruan në postim.
Thekson se masa është e rëndësishme sepse u lejon qytetarëve të fitojnë me dinjitet, u ndihmon bizneseve më lehtë të gjejnë fuqi pune, formalizon tregun e punës dhe zvogëlon ekonominë gri.
Nga sot, kujton Durmishi, fillon zbatimi i Ligjit për Mbështetjen Financiare për Investimet, i cili, siç thuhet në postim, ka për qëllim t’i stimulojë investime cilësore, të inkurajojë hapjen e vendeve të reja të punës dhe të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë.


