Demi Lovato ka njoftuar anulimin e disa datave të turneut të saj të ardhshëm, duke përmendur shqetësime të pa specifikuara shëndetësore.
Në një mesazh të publikuar në Instagram Stories, këngëtarja 33-vjeçare iu drejtua fansave të saj, të cilët i quan “Lovatics”, duke shpjeguar se gjatë përgatitjeve për turneun “It’s Not That Deep” e kuptoi se kishte tejkaluar kufijtë e saj fizikë.
“Për të mbrojtur shëndetin tim dhe për t’ju dhënë më të mirën në çdo koncert, më duhet të krijoj më shumë kohë për pushim dhe prova, si dhe të rregulloj axhendën me më shumë ditë pushimi,” shkroi ajo.
Si pasojë, Lovato ka anuluar koncertet e planifikuara në muajin prill në Charlotte (Karolina e Veriut), Nashville, Atlanta, Las Vegas dhe Denver. Ndërkohë, koncerti në Orlando është zhvendosur për në 13 prill dhe do të shërbejë si hapja zyrtare e turneut.
Artistja bëri të ditur se fansat që kanë blerë bileta përmes AXS ose Ticketmaster do të rimbursohen automatikisht, ndërsa ata që kanë blerë përmes platformave të tjera duhet të kontaktojnë pikën e shitjes. Për koncertin në Orlando, biletat e blera më parë do të mbeten të vlefshme për datën e re.
“Jam shumë e emocionuar për këtë turne dhe mezi pres t’ju shoh duke kënduar me mua. Faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme,” përfundoi ajo.
Ky vendim vjen pasi Lovato kishte deklaruar më parë, gjatë turneut “Holy Fvck” në vitin 2022, se ai do të ishte i fundit për të, për shkak të problemeve shëndetësore. Në atë kohë ajo shkroi në rrjetet sociale: “Jam shumë e sëmurë, nuk mund të ngrihem nga shtrati. Nuk mund ta bëj më këtë.”
Lovato i bashkohet një liste artistësh që kanë anuluar koncerte për arsye shëndetësore, përfshirë Lady Gaga-n dhe Lola Young, të cilat gjithashtu kanë ndërprerë performanca së fundmi për shkak të problemeve me shëndetin fizik dhe mendor.
Burimi: botasot.info


