Një koment në rrjetet sociale, ku bëhet thirrje për ekzekutimin e Rexhep Selimit “sapo të kthehet në trojet shqiptare”, ka nxitur reagimin e bashkëshortes së tij, Shqipe Mehmeti Selimi.
Ajo e ka cilësuar rastin si tejet serioz dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këtë thirrje publike, të identifikojë autorin e saj dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë
Sot, përmes raportimeve në mediat e shkruara, u njoftova për një koment publik në rrjetet sociale, në të cilin bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit tim, Rexhep Selimit.
Si bashkëshorte dhe si qytetare e Republikës së Kosovës, e konsideroj këtë një çështje jashtëzakonisht serioze, e cila nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa u trajtuar nga institucionet përgjegjëse.
Mospajtimet, bindjet politike apo qëndrimet personale të askujt nuk mund të shërbejnë si justifikim për thirrje publike për vrasjen e një njeriu. Liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mbulesë për nxitjen e dhunës.
Prandaj, i bëj thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që, në kuadër të kompetencave të saj, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e këtij rasti, identifikimin e personit që qëndron pas komentit dhe vlerësimin e përgjegjësisë eventuale penale.
Nuk kërkoj asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa zbatimin e ligjit dhe trajtimin me seriozitetin e duhur të një thirrjeje publike për marrjen e jetës së një njeriu.
Heshtja dhe normalizimi i një gjuhe të tillë janë të papranueshme. Institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësinë të sigurojnë që këto raste të trajtohen në përputhje me ligjin, pavarësisht se ndaj kujt drejtohen.
Burimi: botasot.info


