Ish-princi britanik Andrew është liruar pas disa orësh në paraburgim, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e financierit amerikan, pedofilit Jeffrey Epstein. Organi i akuzës ka bërë të ditur se hetimet do të vijojnë.
Sipas mediave britanike, oficerët e policisë kanë ushtruar kontrolle në disa prona private të vëllait të Charles III në zona të ndryshme të vendit. Më konkretisht, janë kontrolluar pronat Windsor Estate dhe Wood Farm, në Norfolk, ku Andrew ka jetuar. Ai ka shërbyer si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 2001–2011.
Po ashtu, në lupën e hetuesve pritet të kalojë edhe ish-rezidenca e tij, Royal Lodge.
Ish-princi u arrestua një ditë më parë nga policia britanike, nën dyshimet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Andrew, i cili tashmë është zhveshur nga detyrat mbretërore, dyshohet se ka ndarë informacione sensitive me Epstein, i dënuar për abuzime seksuale.
Në një rast ish-princi Andrew dhe Jeffrey Epstein i kërkuan një balerine ekzotike të “përfshihej në akte të ndryshme seksuale” në shtëpinë e të ndjerit.
Në një letër të publikuar si pjesë e pjesës më të fundit të dosjeve të Epstein, avokatët e gruas së paidentifikuar thanë se asaj i ishin ofruar 10,000 dollarë për të kërcyer dhe se pasi ajo performoi, Epstein dhe Mountbatten-Windsor kishin kërkuar marrëdhënie seksuale në grup.
Burimi: opinion.al


