Dogana e Kosovës ka konfiskuar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë gjatë një kontrolli në disa depo në Prizren.
Sipas Doganës, janë gjetur 791 kg duhan i grirë i paketuar, 85 kg i papaketuar, si dhe 118 mijë cigare, disa pa banderolë dhe disa me banderolë të Bosnjës e Hercegovinës.
Personi përgjegjës për hapësirat është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti po hetohet në bashkëpunim me Prokurorinë.
Njoftimi i plotë:
Dogana e Kosovës konfiskon 876 kg duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë në Prizren
Prizren, 28 shtator 2026 – Bazuar në informata nga terreni, njësitet e Sektorit Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë kontrolluar disa hapësira depoje në Prizren, ku kanë gjetur duhan dhe cigare për të cilat dyshohet se janë kontrabanduar.
Gjatë kontrollit janë evidentuar 791 kg duhan i grirë i paketuar, 85 kg duhan i grirë i papaketuar, 21,000 cigare “Marble” pa banderolë dhe 97,000 cigare me banderolë të Bosnjës dhe Hercegovinës, pa banderolë të Republikës së Kosovës. Gjithsej janë ndaluar 876 kg duhan dhe 118,000 cigare.
Në vendngjarje kanë dalë hetuesit e Doganës dhe prokurori kujdestar. Personi përgjegjës për hapësirat ku u gjet malli është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Malli është dërguar për ruajtje nën mbikëqyrje doganore, ndërsa rasti po trajtohet në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.
Burimi: botasot.info


