do te mbyllen 16 shkolla fillore shtatori do te filloje me rreth tre mije nxenes me pak 6a8d436a49e26

Do të mbyllen 16 shkolla fillore, shtatori do të fillojë me rreth tre mijë nxënës më pak

August 25, 2026
min lexim
shkoll 1

Tre mijë nxënës më pak do të ulen këtë vit shkollor në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me vitin e kaluar, ndërkaq është paralajmëruar edhe mbyllja e 16 shkollave fillore, kryesisht shkolla periferike në vendbanime rurale, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) prej kohësh ka paralajmëruar riorganizimin e rrjetit të shkollave, ndërsa nga ky institucion thonë se procesi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për shkak të rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve.

Nga MASH-i, për Portalb.mk sqaruan se qytetarët duhet të kenë parasysh se ministria nuk i mbyll drejtpërdrejt shkollat, por u sugjeron komunave se cilat shkolla duhet të mbyllen për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

Sipas MASH-it, bashkimi i shkollave periferike me ato qendrore synon që fëmijët të kenë më shumë mundësi për shoqërim dhe ndërveprim me bashkëmoshatarët, ndërsa njëkohësisht të shmangen shpenzimet shtesë për mirëmbajtjen e objekteve shkollore që kanë më pak se dhjetë nxënës.

Nga ministria shtuan se disa prej shkollave periferike nuk kanë as kushtet e nevojshme për zbatimin e teknologjive bashkëkohore në procesin arsimor, duke e konsideruar këtë një tjetër arsye për riorganizimin e tyre.

Por, për banorët e zonave rurale, mbyllja e shkollave nuk është vetëm çështje e optimizimit të sistemit arsimor. Ajo ngre edhe shqetësimin se fëmijët do të duhet të udhëtojnë disa kilometra për të ndjekur mësimin në shkollat qendrore, ndërsa familjet mund të kenë më shumë arsye për t’u larguar nga vendbanimet e tyre.

Kujtojmë se në qershor banorët e Kosternikut të Kumanovës protestuan para shkollës së fshatit, kundër paralajmërimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mbylljen e shkollave me numër të vogël të nxënësve në vend.

Në shkollën e tyre periferike “Vëllezërit Ribar”, procesin edukativo-arsimor zakonisht e ndjekin rreth dhjetë nxënës. Kjo e vendos shkollën në kategorinë e atyre që mund të mbyllen, bazuar në kriteret e paralajmëruara nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Megjithatë, shkolla periferike e “Vëllezërit Ribar” në Kosternik nuk është aktualisht në listën e shkollave që do të mbyllen këtë vit.

Banorët thonë se, në rast të mbylljes së shkollës, fëmijët do të duhet të udhëtojnë rreth shtatë kilometra deri në shkollën më të afërt. Sipas tyre, një vendim i tillë mund ta përshpejtojë edhe më shumë largimin e të rinjve nga fshati dhe emigrimin.

Në protestën e qershorit, banorja e Kosternikut, Lindita Azemi, foli për vështirësitë që do të sillte mbyllja e shkollës për familjet e fshatit. Si nënë e një vajze gjashtëvjeçare, ajo tha se do të ishte problem që fëmija i saj që nga klasa e parë të udhëtonte në Kumanovë.

“Qytetin e kemi larg gati shtatë kilometra nga këtu. Ne si prindër dhe si fshat jemi kundër mbylljes së shkollës”, u shpreh ajo.

Rënia e numrit të nxënësve nuk është problem vetëm i këtij viti shkollor. Sipas statistikave, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë.

Vetëm gjatë një periudhe pesëvjeçare, rreth 30 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. Krahas mbylljes së objekteve shkollore, ka rënë edhe numri i paraleleve, duke u reduktuar me dhjetëra çdo vit.

Burimi: lajmpress.org

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

emma thynn mahnit me linjat ne bikini gjate pushimeve luksoze ne st tropez 6a8d4365b11c5
Lajmi i mëparshëm

Emma Thynn mahnit me linjat në bikini gjatë pushimeve luksoze në St Tropez

f09f8ca1efb88f mot shume i nxehte ne shkup temperaturat arrijne deri ne 38c 6a8d436cc6619
Lajmi i radhës

🌡️ Mot shumë i nxehtë në Shkup, temperaturat arrijnë deri në 38°C

Të fundit nga

Kërkohej në Maqedoni, arrestohet në Ferizaj

Zyrtarët e Policisë së Kosovës nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim të ngushtë me stacionin policor të Ferizajt, kanë realizuar mbrëmjen e së hënës një operacion të suksesshëm policor që
ShkoLartë