dnv gara zgjedhore e qete por u dominua nga lideret jo nga kandidatet 6a245d923459e

DnV: Gara zgjedhore e qetë, por u dominua nga liderët jo nga kandidatët

June 6, 2026
min lexim

Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit është zhvilluar në një ambient konkurrues dhe kryesisht të qetë, pa incidente serioze, por me sfida që lidhen me pabarazinë në garën zgjedhore, dezinformimin dhe mungesën e debateve substanciale për programet politike.

Në konferencën e mbajtur një ditë para votimit, DnV theksoi se subjektet politike kanë pasur liri të zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe të komunikojnë me votuesit, megjithatë vendime dhe veprime të institucioneve publike para nisjes së fushatës kanë ndikuar në perceptimin për barazi të mundësive mes garuesve.

Sipas vlerësimit të organizatës, fushata është dominuar nga promovimi i liderëve politikë dhe sloganet elektorale, ndërsa temat kryesore kanë qenë ekonomia, energjia, pagat, pensionet dhe zhvillimi i infrastrukturës.

DnV vëren se shumica e premtimeve elektorale nuk janë shoqëruar me sqarime të mjaftueshme për koston financiare dhe mënyrën e realizimit.

Organizata ka evidentuar gjithashtu përfshirjen e një numri të madh kandidatësh të rinj në garë, me mbi gjysmën e tyre që kandidojnë për herë të parë. Gratë përbëjnë rreth 34 për qind të kandidatëve për deputetë, por sipas monitorimit të DnV-së, ato kanë pasur dukshëm më pak hapësirë në debate televizive dhe në diskursin publik krahasuar me burrat.

Në raport thuhet se tubimet e mëdha elektorale kanë dominuar fushatën, ndërsa kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët dhe diskutimet për politika publike kanë qenë më të kufizuara. DnV ka shprehur shqetësim edhe për përdorimin e fëmijëve në aktivitete politike dhe për vazhdimin e trendit të dezinformimit në rrjetet sociale.

Sa i përket shpenzimeve në platformat digjitale, DnV ka monitoruar rreth 500 profile në rrjetet sociale dhe ka evidentuar mbi 100 mijë euro shpenzime për sponsorizime vetëm gjatë javës së fundit të fushatës. PDK dhe kandidatët e saj rezultojnë me shpenzimet më të larta në sponsorizime, të ndjekur nga LDK-ja dhe LVV-ja.

Organizata vlerësoi se mediat kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e publikut, por kritikoi mungesën e debateve mes kandidatëve për kryeministër dhe fokusimin e tepruar në retorikën politike në vend të analizës së programeve.

Lidhur me administrimin e zgjedhjeve, DnV konsideron se institucionet zgjedhore kanë përmbushur shumicën e obligimeve ligjore, megjithëse disa vendime të KQZ-së kanë nxitur debate për interpretimin e ligjit. Ndërkohë, PZAP deri më tani ka trajtuar 19 ankesa dhe ka shqiptuar 26.100 euro gjoba për shkelje të Kodit të Etikës.

Për ditën e votimit, DnV ka angazhuar mbi 600 vëzhgues në të gjithë vendin, prej të cilëve 500 do të jenë vëzhgues statikë në vendvotime të përzgjedhura sipas mostrës përfaqësuese. Organizata do të zbatojë metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (PVT) dhe do të publikojë gjatë ditës vlerësime të rregullta për mbarëvajtjen e procesit.

DnV u ka bërë thirrje partive politike, kandidatëve dhe qytetarëve që të respektojnë rregullat zgjedhore dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një procesi të qetë, demokratik dhe transparent.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

140 drone goditen leningradin reagon rusia sulm i paprecedente nga ukraina 6a24590601330
Lajmi i mëparshëm

140 dronë goditën Leningradin, reagon Rusia: Sulm i paprecedentë nga Ukraina

turisti gjerman rreshqet me biciklete ne rrugen permet carcove transportohet ne spital 6a245e0f3ee3b
Lajmi i radhës

Turisti gjerman rrëshqet me biçikletë në rrugën Përmet–Çarçovë, transportohet në spital

Të fundit nga

ShkoLartë