Zjarret në disa fshatra të bashkisë Finiq po vijojnë prej shtatë ditësh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe rrezik për banorët. Pavarësisht se mbrëmjen e së dielës u mendua se flakët ishin vënë nën kontroll, situata u përkeqësua sërish kur zjarri u përhap në Leshnicë të Poshtme, me tendencë drejt Leshnicës së Sipërme.
Era e fortë i dha forcë përhapjes së flakëve, duke e bërë ndërhyrjen të vështirë.
Në Leshnicën e Poshtme, mbrëmë u dogjën disa banesa, ndërsa për sigurinë e jetës u krye edhe evakuimi i banorëve. Që në mëngjes, një helikopter ka vijuar punën për shuarjen e zjarrit, ndërsa shërbimet zjarrfikëse janë të angazhuara në terren.
Njëkohësisht, vëmendja e ekipeve zjarrfikëse është përqendruar edhe tek dy vatra më të vogla në fshatin Krongj. Për të forcuar ndërhyrjen, pritet të mbërrijnë nga Greqia dy helikopterë “Canadair”, të specializuar për shuarjen e zjarreve në terrene të vështira.
Burimi: botasot.info


