Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, pranon se ekziston rreziku që disa paralele në shkollat e mesme profesionale të mos formohen për vitin e ri shkollor për shkak të interesit të ulët të nxënësve. Sipas tij, kjo situatë shfaqet pothuajse çdo vit, veçanërisht në kualifikimet trevjeçare, por edhe në disa profile katërvjeçare si tekstili, makineria, komunikacioni e multimedia në qytete si Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari e Ohri. Megjithatë, ai sqaron se kjo nuk nënkupton mbyllje automatike të tyre.
“Ekziston mundësia për shkak të mos interesimit të mjaftueshëm për profile të caktuara dhe për shkak të rënies së numrit të nxënësve në përgjithësi. Ekziston mundësia që disa paralele ose drejtime të caktuara të mos mund të formohen. Ka disa prej tyre edhe të drejtimit trevjeçar edhe të drejtimit katërvjeçar të cilët pas afatit të parë kanë mbetur me një numër shumë të vogël të nxënësve”, tha Driton Sulejmani, zv ministër I Arsimit.
Në shkollën profesionale “Boro Petrushevski” në Shkup, profile si “Komunikacion rrugor” dhe “Shpedicion” janë regjistruar vetëm nga 8 nxënës. Kjo shifër ka vënë në pikëpyetje mbijetesën e këtyre paraleleve, ndërkohë edhe ka shqetësuar mësimdhënësit, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë për shkak të mungesës së fondit të orëve.
“Ne me këto statistika të nxënësve rrezikojmë që gati tre paralele të zhduken… Një profesor i lëndës profesionale i ka 3 ose 4 orë në javë. Paramendoni një drejtim mos të jetë… aty i pamundësohet fondi i orëve dhe mund ta ngelin edhe pa punë… të gjithë jemi të rrezikuar tej mase”, tha Kastriot Kasapi, mësimdhënës në shkollën profesionale “Boro Petrushevski”.
Zëvendësministri Sulejmani sqaroi se në arsimin e mesëm janë regjistruar gjithsej 15.705 nxënës. Sipas tij, interesi për shkollat profesionale mbetet dukshëm më i lartë se ai për gjimnazet, pasi mbi 10.800 semimaturantë kanë zgjedhur pikërisht profilet teknike dhe arsimin dual. Kur bëhet fjalë për kërkesat e drejtorëve për të toleruar paralelet me më pak nxënës dhe për të ulur pragun e pikëve në afatin e gushtit, Sulejmani tha se Ministria po I shqyrton këto kërkesa.
“Afati I gushtit zakonisht shfrytëzohet për nxënësit që e kanë humbur vitin dhe regjistrohen në afatin e gushtit. Mirëpo, këtë afat zakonisht e shfrytëzojnë edhe nxënës të cilët nuk kanë arritur për arsye të ndryshme të regjistrohen në afatin e parë. Ne kemi raste ku po intervenojmë diku me uljen e pikëve, duhet të jetë kërkesa e arsyetuar mirë nga ana e shkollave se pse kërkojnë një ulje të caktuar të pikëve dhe qëllimi jonë si Ministri e Arsimit është që aty ku mundemi, aty ku kërkesat janë të arsyeshme t’ju dalim në ndihmë edhe shkollave që të shpëtojmë një numër sa më të madh të paraleleve që mundemi të shpëtojmë”, sqaroi Driton Sulejmani, zv ministër I Arsimit.
Shpresa e fundit për shkollat dhe mësimdhënësit e rrezikuar mbetet afati i gushtit, ku sipas paralajmërimeve pritet të regjistrohen edhe rreth 300 nxënës të tjerë. Ky afat do të jetë vendimtar për fatin e shumë paraleleve profesionale në mbarë vendin.
Burimi: lajmpress.org



