Dimitrieska Kocoska Perforcojme partneritetin me CEB

Dimitrieska-Koçoska: Përforcojmë partneritetin me CEB-in – investime në arsim, dixhitalizim dhe zhvillim ekonomik

September 17, 2026
min lexim

Banka e Zhvillimit pranë Këshillit të Evropës (CEB) është partner afatgjatë dhe i rëndësishëm i vendit në realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e arsimit, infrastrukturës sociale dhe përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Fokusi i bashkëpunimit është orientuar drejt realizimit të projekteve që sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik. Kjo u theksua në takimin e sotëm të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, me Tomas Boçekun, zëvendësguvernator i Bankës së Zhvillimit pranë Këshillit të Evropës (CEB), ku u diskutua për realizimin e projekteve aktuale, si dhe për bashkëpunimin në të ardhmen.

“Vazhdojmë ta përforcojmë partneritetin me CEB-in, duke e orientuar përkrahjen drejt projekteve që kontribuojnë në shërbime publike më të mira, arsim më cilësor dhe zhvillim ekonomik”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. CEB-i është i pranishëm në vend që nga viti 1997 dhe deri më tani ka miratuar kredi për 10 projekte në sektorin publik, në vlerë të përgjithshme prej 314 milionë eurove, gjithashtu, CEB-i ka dhënë përkrahje të konsiderueshme për sigurimin e granteve investuese dhe granteve për asistencë teknike në përgatitjen e projekteve.

Përkrahja është e orientuar drejt infrastrukturës sociale dhe integrimit social, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin, drejtësinë dhe banesat sociale, si dhe përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Në takim u shqyrtua realizimi i projekteve aktuale, ndër të cilat edhe financimi shtesë përmes kredisë dhe granteve, në vlerë të përgjithshme prej 24.1 milionë eurove, për ndërtimin, mbikëqyrjen dhe pajisjen e 30 sallave sportive në shkollat fillore, si dhe për rikonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme. Kjo përkrahje është vazhdimësi e projektit të realizuar me sukses, në kuadër të të cilit u ndërtuan dhe u pajisën 70 objekte sportive në shkollat fillore, ndërsa u rikonstruktuan edhe 90 shkolla fillore dhe të mesme. Bashkëpunimi me CEB-in përfshin edhe një linjë kredie prej 50 milionë eurosh për krijimin e vendeve të punës në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, e cila realizohet përmes Bankës Zhvillimore.

Theks i veçantë në takim iu kushtua projekteve që janë duke u përgatitur për periudhën e ardhshme. Ndër to është projekti për përfundimin e ndërtimit të objekteve të Fakultetit të Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) dhe Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Në fokus të bashkëpunimit të ardhshëm është edhe projekti për infrastrukturën bazë dixhitale. Projekti synon avancimin e infrastrukturës dixhitale dhe përkrahjen e procesit të transformimit dixhital.

Në takim u shpreh gatishmëri për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe CEB-it, me fokus në realizimin efikas të projekteve aktuale dhe sigurimin e përkrahjes për investime të reja me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

Ferati Wahl 5
Lajmi i mëparshëm

Ferati-Wahl: Fokus te dialogu ndërmjet bashkësive dhe parandalimi i dhunës

aktakuze ndaj tre personave per veprat penale me narkotike dhe arme ne peje 6aabefd390040
Lajmi i radhës

Aktakuzë ndaj tre personave për veprat penale me narkotikë dhe armë në Pejë

Të fundit nga

ShkoLartë