Një dëshmi që ka tronditur opinionin publik ka dhënë nëna e vajzës trevjeçare, e cila u gjet e vdekur në orët e para të mëngjesit të së dielës së kaluar në plazhin Edem të Palaio Faliros. Sipas raportimeve, 32-vjeçarja me origjinë nga Algjeria ka ndryshuar një pjesë të rëndësishme të deklaratës së saj fillestare. Fillimisht, ajo kishte thënë në dëshminë e dhënë para oficerëve të Rojës Bregdetare se fëmija ishte i ngrohtë dhe gjallë, por i kishte rrëshqitur në det. Ndërkohë, më pas thuhet se ka pohuar se e kishte lënë fëmijën të vdekur në plazh dhe ishte larguar.
“Hymë në det me fëmijën që nuk ishte i gjallë, ecja sa mundja në këmbë dhe e lashë atje. U ktheva, u vesha dhe u thashë fëmijëve të tjerë se ia dhamë motrën një shoqeje time dhe u larguam,” thuhet të ketë deklaruar 32-vjeçarja.
Në një pjesë tjetër të dëshmisë, ajo ka pohuar:
“Fëmija rrëshqiti në banjë dhe u godit në kokë. E mbështolla dhe e nxora jashtë sepse donin të hynin edhe fëmijët e tjerë. E pashë që kishte goditje dhe kuptova që nuk jetonte. Kisha frikë të shkoja në spital, sepse mund të më akuzonin. Atëherë vendosa të shkojmë në atë plazh ku kemi qenë edhe më parë.”
Dëshmitë e nënës algjeriane bien në kundërshtim të qartë me versionin fillestar që ajo kishte dhënë autoriteteve, ku pretendonte se fëmija ishte ende gjallë dhe e kishte humbur gjatë qëndrimit në plazh.
Tashmë është hapur një fazë e re hetimi nga Drejtoria e Sigurisë së Atikës dhe Roja Bregdetare, të cilat në bashkëpunim me raportet mjekoligjore po përpiqen të zbardhin ngjarjen.
Gjaku në apartament i përkiste vajzës së vdekur
Nga analizat e ADN-së të kryera nga policia greke rezultoi se dy njolla gjaku të gjetura në kuzhinën e apartamentit në lagjen Patissia i përkasin vajzës trevjeçare që u gjet e mbytur disa ditë më parë në Palaio Faliro. Gjakun e kishte humbur si pasojë e një aksidenti apo dhune të ushtruar nga e ëma.
Oficerët e Rojës Bregdetare dhe të Njësisë së Krimeve kundër Jetës kontrolluan në detaje banesën e nënës algjeriane, ku gjetën gjurmët e gjakut në kuzhinë, të cilat pas analizës u vërtetua se përkisnin vajzës së ndjerë.
Po ashtu, u sekuestruan materiale digjitale si albume fotografike dhe karta memorie SD, të cilat janë dërguar për analizë në laboratorët kriminalistikë të policisë greke.
Dëshmi kyçe: “Kush e bëri këtë? Fëmijët më treguan mamanë”
Autoritetet kanë në dorë një dëshmi kyçe nga një mik i familjes, i cili ka pohuar se disa ditë para vdekjes, kishte parë vajzën me mavijosje dhe gërvishtje në fytyrë. Kur pyeti fëmijët e tjerë për to, ata i treguan nënën.
Kjo dëshmi është konsideruar e rëndësishme nga autoritetet, pasi burimi ka qenë shpesh me familjen në të njëjtin plazh dhe e njeh situatën nga afër.
Sipas të dhënave të para, oficerët që panë fotografitë e vajzës së vdekur dyshuan për keqtrajtim që në fillim, pavarësisht rezultateve të autopsisë për plagët e shkaktuara pas vdekjes.
Akuza për vrasje me dashje në gjendje qetësie
32-vjeçarja është tashmë e akuzuar për vrasje me dashje në gjendje të qetë mendore, si dhe për dhunë të rrezikshme në familje, me viktimë vajzën e saj trevjeçare që u gjet e mbytur në Palaio Faliro.
Dosja penale u përgatit gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe iu dorëzua Prokurorisë së Athinës. Pas shqyrtimit të provave, prokurorja ngriti akuzë për vrasje me dashje ndaj një anëtari të mitur të familjes, vepër penale e klasifikuar si krim i rëndë, si dhe për dhunë të rrezikshme familjare ndaj një anëtari të pambrojtur të familjes në mënyrë të përsëritur, që përbën një vepër penale më të lehtë (kundërvajtje).
Burimi: botasot.info


