Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Bedri Hamza do të jetë sërish kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ajo tha se Hamza përfaqëson një figurë serioze dhe të përgatitur, i cili “nuk prodhon drama” dhe nuk përdor gjuhë përçarëse apo etiketuese.
Deliu-Kodra shtoi se PDK synon të fuqizojë vizionin e saj politik dhe të bashkëpunojë edhe me forca të tjera, ndërsa theksoi se zgjedhjet e ardhshme do të vendosin mes, siç u shpreh ajo, një Kosove të varfëruar dhe një qeverisjeje me strategji për dalje nga kriza.
“Bedri Hamza, do të vazhdojë të jetë sërish kandidati ynë për kryeministër në zgjedhjet e 7 Qershorit. Bedri Hamza nuk prodhon drama, ka qenë njeri që ka prezantuar një vizion të njeriut serioz e të përgatitur, nuk etiketon, nuk linqon”, ka thënë ajo.
“Unë vazhdoj të mendoj se ne duhet ta fuqizojmë vizionin tonë me PDK-në edhe me të tjerë që duan të bashkohen. Krizat dhe trazirat kanë qenë të mëdha në këto muaj, e për këtë jam e bindur që do të shohim ndryshim në zgjedhjet e qershorit sepse do të jenë dy dilema para të cilave qytetarët do të jenë në ditën e votimit: Dilema të një Kosove të saksionuar e varfëruar dhe dilema për një qeverisje me strategji për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë”, tha Blerta Deliu Kodra.
Burimi: botasot.info


