Industria ajrore ndërkombëtare është vënë në alarm, pasi kompania europiane e aviacionit, Airbus, ka kërkuar menjëherë modifikime në rreth 6 mijë avionë A320, për shkak të një problemi të pazakontë të shkaktuar nga rrezatimi intensiv diellor.
Siç shkruan BBC, ky fenomen, sipas hetimeve paraprake, mund të dëmtojë të dhënat e kompjuterëve të kontrollit të fluturimit, duke krijuar rrezik për sigurinë operacionale.
Çfarë ndodhi?
Problemi u identifikua pas një incidenti në tetor, kur një avion i kompanisë JetBlue që udhëtonte nga Meksika drejt SHBA-ve pësoi një rënie të papritur të lartësisë, pasi rrezatimi diellor korruptoi të dhënat në kompjuterin ELAC, një nga pajisjet kryesore që kontrollon sipërfaqet e fluturimit. Avioni bëri ulje emergjente dhe disa pasagjerë pësuan lëndime të lehta.
Versionet e mëparshme të softuerit nuk kishin shfaqur kurrë një problem të tillë, por Airbus ka vendosur të veprojë “nga kujdesi i shtuar”, duke njoftuar vetë autoritetet dhe kompanitë ajrore.
Sa avionë preken dhe çfarë do të ndodhë?
Sipas BBC-së, rreth 6 mijë avionë të familjes A320, A319 dhe A321 kërkojnë përditësim. Shumica do ta zgjidhin problemin me një përditësim të thjeshtë softueri. Rreth 900 avionë më të vjetër do të kenë nevojë për zëvendësim të kompjuterëve, çka nënkupton pezullim të përkohshëm nga shërbimi.
Cilat linja ajrore paralajmërojnë ndërprerje të fluturimeve? Disa prej kompanive më të mëdha në botë tashmë kanë paralajmëruar vonesa dhe anulime:
–American Airlines: 340 avionë preken; priten “disa vonesa”, por shumica e përditësimeve pritet të përfundojnë brenda 48 orëve.
–Delta Airlines: do të zbatojë udhëzimet, por pret ndikim minimal.
–Air India: parashikon “kohë më të gjatë ndalese dhe vonesa”.
–Wizz Air: paralajmëron ndërprerje gjatë fundjavës.
–EasyJet: pret “disa shqetësime” dhe do të informojë pasagjerët për çdo ndryshim.
–Air New Zealand: ka anuluar disa fluturime të A320neo dhe paralajmëron ndikim gjatë gjithë ditës.
Autoriteti i Aviacionit Civil në Britani (CAA) thotë se procesi i përditësimit mund të sjellë vonesa dhe anulime në disa raste, sidomos për linjat që operojnë Airbus A320. Airbus po bashkëpunon me autoritetet dhe kompanitë e fluturimit për të përshpejtuar përditësimet, ndërsa hetimet vazhdojnë për të kuptuar saktësisht se si rrezatimi diellor arriti të ndikojë sistemet e avionëve modernë.
Kjo çështje konsiderohet jashtëzakonisht e rrallë, dhe sipas ekspertëve, incidenti i JetBlue ka qenë i vetmi i këtij lloji i dokumentuar.
Airbus dhe kompanitë ajrore pritet të publikojnë njoftime të reja në orët dhe ditët në vijim, teksa procesi i përditësimit po zhvillohet në flotën globale.
Burimi: botasot.info


