Një incident i pazakontë shënoi fundin e vizitës shtatëditore të Papa Leoni XIV në Spanjë, pasi një defekt teknik në avionin që duhej ta kthente në Romë detyroi anulimin e fluturimit dhe organizimin e një zgjidhjeje emergjente.
Papa kishte hipur tashmë në avionin e kompanisë Iberia dhe ishte ulur në vendin e tij në pjesën e përparme të kabinës, ndërsa gjithçka dukej gati për ngritje. Në bord ndodheshin rreth 80 gazetarë, fotografë dhe pjesëtarë të delegacionit të Vatikanit, të cilët po prisnin konferencën tradicionale për shtyp gjatë fluturimit.
Megjithatë, situata ndryshoi papritur kur sistemet e avionit sinjalizuan një problem teknik. Pak minuta më vonë, kapiteni informoi se nevojiteshin kontrolle shtesë dhe testime në pistë për të vlerësuar sigurinë e avionit. Për arsye sigurie, Papa u largua nga avioni dhe u shoqërua në sallën VIP të aeroportit.
Në ato momente u vu re edhe prania e Mbreti Felipe VI, i cili ishte rikthyer në aeroport pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të lamtumirës. Pas një bisede të shkurtër me Papën, familja mbretërore spanjolle ofroi menjëherë ndihmë.
Më vonë, Iberia konfirmoi se defekti nuk mund të riparohej brenda një kohe të shkurtër dhe se avioni nuk ishte në gjendje të kryente fluturimin drejt Romës. Në këto kushte, Papa pranoi ofertën e Mbretit Felipe për të udhëtuar me avionin mbretëror Falcon drejt kryeqytetit italian.
Edhe Selia e Shenjtë konfirmoi ndryshimin e papritur të planeve, duke njoftuar se Papa do të kthehej në Romë me avionin e ofruar nga monarku spanjoll, ndërsa stafi dhe gazetarët do të transportoheshin më vonë me një tjetër avion të siguruar nga Iberia.
Pas një pritjeje të gjatë në aeroport, Papa u shoqërua personalisht nga Felipe deri te shkallët e avionit Falcon. Sapo hipi në bord, ai u drejtua menjëherë drejt kabinës për të përshëndetur pilotët, duke i dhënë fund një vizite që konsiderohet ndër më të suksesshmet të pontifikatit të tij deri më tani.
Incidenti teknik solli edhe anulimin e konferencës së planifikuar për shtyp, gjatë së cilës Papa pritej të komentonte situatën në Liban, veçanërisht vuajtjet e komuniteteve të krishtera në qytetin e Tyr mes tensioneve dhe bombardimeve të vazhdueshme.
Burimi: botasot.info


