Pas 261 ditësh pushim të detyruar nga dëmtimi i ligamentit në fund të marsit, Alphonso Davies u rikthye në fushë të martën mbrëma, në ndeshjen e Champions-it kundër Sporting Lisbona.
25-vjeçari kanadez u prit me duartrokitje nga tifozët, duke regjistruar paraqitjen e tij të parë zyrtare pas më shumë se 8 muajsh mungesë.
Davies kishte rifilluar stërvitjet në nëntor, trajneri Vincent Kompany e integroi menjëherë në seancat e grupit, duke i dhënë minuta loje gradualisht për t’i rikthyer besimin dhe rutinën te Bayerni.
“Ndihem i lumtur që jam kthyer, – tha Davies pas ndeshjes. – E nisa nga stoli, pastaj luajta disa minuta. Kështu vendosi trajneri”.
Momentin e pritur e përjetoi në minutën e 87-të, duke luajtur në krahun e tij të majtë, me Bayernin në avantazh 3-1.
Tribuna “Sud” e përshëndeti me këngë dhe “standing ovation”, veçanërisht pas një dueli fitues në mesfushë, që tregoi energjinë dhe vendosmërinë e tij.
Rikthimi i Davies është shtytje e madhe për Bayernin dhe një përforcim kyç në krahun e majtë për pjesën tjetër të sezonit.
Burimi: botasot.info


