Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka ndarë çmimet për më të mirët e basketbollit gjatë vitit 2025 për lojtarët dhe klubet më të suksesshme të vitit.
Çmimi i basketbollistit të vitit 2025 i takoi basketbollistit të Kombëtares së Kosovës, Dardan Berisha. Lojtarja më e mirë e vitit për vitin 2025 u shpall basketbollistja Malvina Haziri, raporton KosovaPress.
Në nivel klubesh, klubi më i mirë i vitit në kategorinë e meshkujve u shpall kampioni i Kosovës, KB Trepça, ndërsa në kategorinë e femrave u shpall KB Bashkimi.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, theksoi se me këtë rast po nderohen ata që treguan karakter e përkushtim, derisa shtoi se puna për avancimin e basketbollit nuk do të ndalet.
Fetahu: Puna jonë në avancimin e basketbollit nuk do të ndalet.
“Po i nderojmë ata të cilët kanë shkëlqyer gjatë vitit 2025, ata të cilët nuk janë vetëm fitues trofesh, por janë shembuj të karakterit, disiplinës dhe punës së madhe në palestrat tona sportive. Ne do të vazhdojmë të punojmë për avancimin e basketbollit dhe për këtë jam mirënjohës për secilin prej jush individualisht. Kemi një vizion të qartë dhe përkushtimin tonë përpara dhe do të vazhdojmë hap pas hapi gjithmonë një strukturë më të fortë, e cila do t’i shërbejë basketbollit të Kosovës”, theksoi Fetahu.
Ndërsa, Fidan Shatri nga Ministria e Sportit, theksoi se Federata e Basketbollit nga viti në vit po e rrit nivelin e organizimit dhe se MKRS do të vazhdojë t’i jep mbështetjen e saj të madhe kësaj federate në projektet e saj.
Shatri: FBK ka arritur nivel të lartë të organizimit
“Federata e Basketbollit ka arritur nivel të lartë organizativ falë punës që çdo ditë e bëjnë. Kjo reflektohet edhe në mbështetjen institucionale të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Gjatë vitit 2025 përmes bashkëpunimeve të ndryshme e mbështet Federatën e Basketbollit me projekte të ndryshme, si projekte dhe organizime ndërkombëtare në vendin tonë e po ashtu edhe mbështetje për të rinjtë te përfaqësueset dhe programet, të cilat Federata e Basketbollit i ka zhvilluar gjatë këtij viti”, tha Shatri.
Ndër çmimet e tjera që u ndanë ishin edhe: gjyqtari i vitit – Amar Djekovic, Shpresa e vitit 2025 për meshkuj – Besim Bytyqi, Shpresa e vitit për vajza – Elsa Shala, Trajneri i vitit – Bujar Loci, Klubi i vitit në kategorinë e meshkujve – KB Trepça, Klubi i vitit në kategorinë e femrave – KB Bashkimi. /
Burimi: botasot.info


