Qeveria daneze ka propozuar ndalimin e plotë të përdorimit të telefonave celularë në shkollat fillore dhe të mesme, në një përpjekje për të kufizuar kohën që fëmijët dhe adoleshentët kalojnë para ekraneve.
Kryeministrja Mette Frederiksen njoftoi se ndalimi do të përfshijë nxënësit nga klasa e parë e shkollës fillore deri në përfundimin e shkollës së mesme.
Telefonat nuk do të lejohen të përdoren as gjatë mësimit dhe as në ambientet e oborrit të shkollës.
Masa vjen në një kohë kur Danimarka po përballet me shqetësime për performancën e nxënësve në arsimin parauniversitar. Rezultatet e fundit të testimit ndërkombëtar PISA treguan një rënie të ndjeshme në lexim, matematikë dhe shkencë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Danimarka shënoi 478 pikë, duke mbetur pak nën mesataren evropiane prej 482 pikësh. Rezultatet janë cilësuar ndër më të dobëtat e regjistruara ndonjëherë për nxënësit danezë. Krahas ndalimit të celularëve në shkolla, qeveria ka propozuar edhe kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Frederiksen argumentoi se fëmijët danezë janë ndër brezat më të ekspozuar ndaj pajisjeve elektronike dhe se koha e gjatë para ekraneve mund të ketë ndikuar edhe në rezultatet e tyre akademike.
Burimi: botasot.info


