Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2025 iu dha tre shkencëtarëve John Clarke nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, Michel H. Devoret nga Universiteti Yale dhe Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara dhe John M. Martinis nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara. Ata u vlerësuan për zbulimin e tunelizimit kuantik në shkallë makroskopike dhe kuantizimit të energjisë në një qark elektrik.
Në një deklaratë të Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila ndan këtë çmim u tha se ky zbulim i rëndësishëm zgjidhi një pyetje kryesore në fizikë: sa i madh mund të jetë një sistem që demonstron efektet e mekanikës kuantike?
“Eksperimentet e laureatëve treguan se këto efekte mund të ndodhin edhe në një sistem mjaft të madh, aq të madh sa mund të mbahet në dorë. Ata përdorën një qark elektronik të përbërë nga superkonduktorë të ndarë me një shtresë të hollë izolante, të njohur si lidhja Josephson. Në këtë qark, ata demonstruan se sistemi sillet si një grimcë e vetme kuantike që mund të kalojë përmes një barrierë përmes procesit të tunelizimit dhe që absorbon apo lëshon energji në nivele të caktuara, sipas parimeve të mekanikës kuantike”, thuhet në deklaratë.
Për më tepër thuhet se ata treguan se energjia e sistemit është kuantizuar, ajo merr vetëm vlera të caktuara të energjisë, siç parashikon mekanika kuantike.
“Është fantastike që mekanika kuantike, një fushë shkencore me mbi një shekull histori, vazhdon të na ofrojë surpriza dhe qëndrueshmëri, duke qenë gjithashtu themeli i teknologjive dixhitale që përdorim çdo ditë”, tha Olle Eriksson, kryetar i Komitetit Nobel për Fizikë,
“Ky punim hapi rrugën për teknologji të reja kuantike si kriptografia kuantike, kompjuterët kuantikë dhe sensorët kuantikë, duke sjellë një epokë të re në teknologjinë modern” u tha në deklaratën e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila ndan këtë çmim.
Burimi: botasot.info


