Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pritur të enjten në takim kryetarin e Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, Dr. Anton Hofreiter, së bashku me delegacionin e tij.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, procesin e integrimit euroatlantik dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Sipas Çitakut, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si një prej çështjeve të rëndësishme në agjendën ndërkombëtare të vendit.
Çitaku ka kërkuar mbështetje dhe vëmendje të shtuar nga Gjermania për Kosovën, veçanërisht në këtë periudhë që ajo e cilësoi si sfiduese.
Ajo ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në funksion të avancimit të proceseve euroatlantike dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Burimi: botasot.info


