Një aksident i rëndë ujor ka ndodhur në lumin Misisipi, pranë portit të New Orleansit në SHBA, ku një cisternë nafte goditi anijen turistike “American Heritage”, duke bërë që kjo e fundit të përmbyset dhe të zhytet pjesërisht në ujë.
Ngjarja ndodhi të premten, rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, kur cisterna “Atlantic Asphalt” u përplas me anijen turistike, e cila ishte e ankoruar pranë portit dhe po përgatitej të zbriste pasagjerët.
Në bordin e anijes ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit. Pas goditjes, anija filloi të mbushej me ujë dhe më pas u përmbys, ndërsa disa persona përfunduan në lumin e ftohtë.
Ekipet e Rojës Bregdetare amerikane, policia, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë. Autoritetet konfirmuan se të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë gjetur dhe se nuk ka viktima.
Megjithatë, 32 persona u dërguan në spital për trajtim mjekësor, por asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve, një nga dyshimet fillestare është se cisterna mund të ketë pasur probleme me drejtimin. Shkaku i saktë i aksidentit mbetet nën hetim nga Roja Bregdetare amerikane dhe Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB).
Burimi:TV21


