cfare ndodh pas certifikimit te rezultateve analisti zbulon hapat dhe skenarin ne rast bllokade 6a50dc326bb82

Çfarë ndodh pas certifikimit të rezultateve? Analisti zbulon hapat dhe skenarin në rast bllokade

July 10, 2026
min lexim

Pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, procesi i formimit të institucioneve të reja hyn në një fazë vendimtare. Tashmë, vëmendja është përqendruar te konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, si dhe formimi i Qeverisë së re.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë kompromis brenda afateve të përcaktuara me ligj, apo nëse vendi mund të përballet me një bllokadë institucionale.

Në lidhje me atë se çfarë pritet të ndodhë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik Zejnulla Jakupi.

Fillimisht, ai u shpreh se tani ka nisur faza kushtetuese për krijimin e institucioneve, ndërsa përmendi hapat kryesorë që do të pasojnë.

“Pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nis faza kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Certifikimi i rezultateve i hap rrugë Presidentes që të ndërmarrë hapat për konstituimin e Kuvendit dhe më pas për formimin e Qeverisë.

Hapat kryesorë janë: thirrja e seancës konstituive të Kuvendit – Presidentja duhet ta thërrasë mbledhjen e parë të Kuvendit brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve. Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin dhe zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Mandatimi për formimin e Qeverisë do të bëhet pas konstituimit të Kuvendit, ndërsa presidentja mandaton kandidatin për kryeministër, zakonisht nga partia ose koalicioni që ka fituar më së shumti ulëse dhe ka mundësi të sigurojë shumicën parlamentare. Kandidati duhet ta paraqesë kabinetin qeveritar dhe programin për votim në Kuvend”, deklaroi ai.

Image

Zejnulla Jakupi

Krahas kësaj, Jakupi tregoi edhe çfarë ndodh nëse nuk ka marrëveshje politike dhe nuk sigurohen votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë.

“Për votimin e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota nga 120 deputetët. Çfarë ndodh nëse nuk ka marrëveshje politike?

Ligji dhe Kushtetuta parashohin procedura, por jo gjithmonë afate të shkurtra që e detyrojnë zgjidhjen politike. Në praktikë, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet (p.sh. nuk zgjidhet kryetari), procesi mund të mbetet i bllokuar derisa partitë të arrijnë kompromis; nëse kandidati për kryeministër nuk siguron shumicën, mund të ndiqen procedura të tjera kushtetuese për mandatim, sipas interpretimit të Kushtetutës dhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës; nëse asnjë shumicë nuk mund të krijohet, një nga zgjidhjet përfundimtare mund të jetë shpallja e zgjedhjeve të reja, sipas procedurave kushtetuese.”

Ndër të tjera, analisti shtoi se formimi i institucioneve varet nga shumica parlamentare dhe se procesi nuk zhbllokohet domosdoshmërisht nga ligji.

Për këtë, ai theksoi se ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pasi për zgjedhjen e presidentit ose presidentes nevojiten 81 vota.

“Pra, procesi nuk zhbllokohet automatikisht nga ligji në mungesë të një marrëveshjeje politike. Mekanizmat kushtetues ofrojnë hapa proceduralë, por formimi i institucioneve në fund varet nga sigurimi i shumicës parlamentare dhe, në rast mosmarrëveshjesh, edhe nga interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.

Duhet gjithsesi të arrihet një marrëveshje – një pajtim – që presidentja ose presidenti të zgjidhet nga shumica parlamentare me 81 vota, duke zgjedhur një kandidat ose kandidate jopolitike”, përfundoi Zejnulla Jakupi për “Bota sot”

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

zelensky zbulon planin rus si kina e ndaloi putinin nga hedhja e bombes atomike 6a50d7ace433b
Lajmi i mëparshëm

Zelensky zbulon planin rus, si Kina e ndaloi Putinin nga hedhja e bombës atomike

rama i qarte slejojme qe anetaresimi ne be te banalizohet integrimi prek jeten e cdo shqiptari 6a50dcaf60245
Lajmi i radhës

Rama i qartë: S’lejojmë që anëtarësimi në BE të banalizohet, integrimi prek jetën e çdo shqiptari

Të fundit nga

ShkoLartë