Përballja mes Argjentinës dhe Austrisë dhuroi spektakël të jashtëzakonshëm në fushën e gjelbër, por vëmendja e kamerave është zhvendosur për disa momente edhe në tribunën VIP.
Protagoniste e një episodi tejet të ëmbël dhe viral është bërë ylli i muzikës botërore, Shakira, e cila ka tërhequr vëmendjen e të gjithë të pranishmëve së bashku me djalin e saj.
Në imazhet që po bëjnë xhiron e rrjetit, këngëtarja kolumbiane shfaqet e shkrirë gazit dhe e mbushur me një lumturi rrezatuese. Arsyeja nuk ishte ndonjë gol në fushë, por i biri i saj, i cili nën ritmet e atmosferës elektrizuese të Kampionatit Botëror nuk ka rezistuar dot dhe ka nisur të kërcejë në mes të tribunës.
Reagimi i Shakirës, e cila e inkurajon dhe e ndjek plot krenari e gëzim amtare, ka fituar menjëherë zemrat e miliona fansave në mbarë globin, duke u kthyer në një nga fotot më të bukura të turneut përtej futbollit.
Burimi: botasot.info


