Calvin Harris ka hyrë zyrtarisht në librin e Rekordeve Botërore Guinness, pasi vendosi rekordin për audiencën më të madhe në një performancë solo të një DJ-je.
Rreth 1.6 milionë njerëz ndoqën performancën e DJ-it skocez më 8 shkurt në São Paulo të Brazilit, duke e kthyer eventin në grumbullimin më të madh të regjistruar ndonjëherë për një DJ.
Harris performoi mbi një platformë lëvizëse karnavalesh, e cila përshkoi bulevardin “Rua da Consolação” në qendër të São Paulo-s. Një nga arteriet kryesore të qytetit u shndërrua kështu në një pistë gjigante kërcimi.
Gjatë setit të tij, Harris interpretoi disa prej hiteve të tij më të njohura, mes tyre “This Is What You Came For”, “One Kiss”, “I Need Your Love” dhe “We Found Love”.
Për t’iu përshtatur atmosferës braziliane, DJ-i zgjodhi të vishte fanellën e kombëtares braziliane të futbollit, me numrin “00” dhe emrin “Calvinho” të stampuar në shpinë.
Rekordet Botërore Guinness konfirmuan zyrtarisht rekordin, bazuar në shifrat e pjesëmarrjes.
“Calvin Harris i ka dedikuar vite të tëra krijimit të muzikës që bashkon njerëzit. Ta shohësh këtë rezultat në një shkallë të tillë është vërtet e jashtëzakonshme. Vlerësohet se 1.6 milionë njerëz morën pjesë në performancën e tij në Sao Paulo, një arritje e jashtëzakonshme dhe dëshmi e ndikimit global të muzikës së tij”, u shpreh Will Munford, gjyqtar zyrtar i Rekordeve Botërore Guinness.
Në një postim në rrjetet sociale, Calvin Harris e përshkroi momentin si “vërtet të çmendur”, duke shtuar se diçka e tillë “mund të ndodhte vetëm në Brazil”.
Burimi: botasot.info


