1
Shkup, 11 nëntor – Mito-ja e drejtorit të Agjencisë për Pagesa, Ilija Stoilev, u kushtoi shtrenjtë bujqve. Afër 90 milionë euro fonde evropiane mund të humbasin, pasi është pezulluar pagesa e mjeteve nga programi IPARD 3. Pasditen e sotme, Ministria e Financave njoftoi se deri më tani bujqve u janë paguar mbi 8 milionë nga gjithsej 97 milionë euro sa ofron IPARD 3.
– Deri në fund të vitit pritet të paguhen 400 mijë euro, por aktualisht po përpunohen aplikimet për masën 1, masën 3 dhe masën 7, për të cilat është parashikuar mbështetje financiare prej 20 milionë euro. Agjencia për Pagesa nuk lejohet të nënshkruajë kontrata të reja pas vendimit për pezullim të përkohshëm të pagesave të fondeve nga IPA.
Sipas informacioneve të TV24, mbi 560 kontrata të programit IPARD 3, me vlerë rreth 65 milionë euro, janë të bllokuara dhe në pritje të pagesës.
Nga Koalicioni Rural thonë se asgjë nuk ka paralajmëruar një zhvillim të tillë. Drejtoresha ekzekutive, Liljana Jonoski, vlerëson se nëse bllokimi i fondeve IPARD zgjat, pasojat do të jenë të mëdha. Bujqit tashmë kanë investuar, dhe kthimi i më shumë se gjysmës së mjeteve tani bëhet i pasigurt. Sipas saj, ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme.
Pasi dje ministri i Bujqësisë deklaroi se nuk ka bllokim të programit IPARD 3, sot nga dikasteri i tij thanë se pezullimi i mjeteve tregon pjekurinë dhe gatishmërinë e sistemit në luftën kundër korrupsionit.
– Për të siguruar dhe garantuar se sistemi i vendosur garanton ligjshmëri dhe rregullsi, si dhe për marrjen e masave shtesë në lidhje me zhvillimet aktuale, është përdorur ky mekanizëm, thuhet në njoftim.
Programi IPARD 3 është në vitin e pestë të zbatimit, por realizimi i plotë i tij, i planifikuar deri në vitin 2027, tashmë bëhet i pasigurt – bashkë me të edhe fati i shumë fermave bujqësore dhe bizneseve në industrinë përpunuese.
Burimi: zhurnal.mk

