Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka njoftuar sot nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Partinë Ashkalinjëve për Integrim (PAI).
Sipas marrëveshjes, PAI vendos të mos garojë me listë të veçantë për Kuvendin Komunal në zgjedhjet lokale të vitit 2025 dhe të mbështesë kandidaturën e Bujës për kryetar.
Buja ka theksuar se gjatë një mandati të mundshëm katërvjeçar, ai dhe PDK do të përfshijnë projektet dhe prioritetet e komunitetit ashkali në të gjitha fushat e kompetencave komunale dhe do të sigurojnë përfaqësim të drejtë institucional.
Ai e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një garanci për një Lipjan më gjithëpërfshirës, ku çdo komunitet ka zërin dhe vendin e tij në zhvillimin e përbashkët të komunës.
“Me këtë marrëveshje, PAI vendos që në zgjedhjet lokale të vitit 2025 të mos garojë me listë të veçantë për Kuvendin Komunal, por të mbështesë kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Lipjanit. PDK dhe unë personalisht marrim përsipër që gjatë mandatit qeverisës katërvjeçar të përfshijmë projektet dhe prioritetet e komunitetit ashkali në të gjitha fushat e kompetencave komunale, si dhe të sigurojmë përfaqësim të drejtë institucional. Ky bashkëpunim është garanci për një Lipjan më gjithëpërfshirës, ku çdo komunitet ka zërin dhe vendin e tij në zhvillimin e përbashkët të komunës sonë”, ka shkruar Buja në Facebook.
Burimi: botasot.info


