Botafogo ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit Davide Ancelotti, duke i dhënë fund aventurës së tij të parë si trajner kryesor në futbollin profesionist.
Klubi brazilian konfirmoi vendimin përmes një deklarate, ku bëri të ditur se, pas takimeve të së mërkurës, 17 dhjetor, Ancelotti nuk do të vazhdojë më në krye të ekipit të parë, së bashku me trajnerin fizik Luca Guerra dhe asistentët Luis Tevenet dhe Andrew Mangan.
“Botafogo njofton se Davide Ancelotti nuk është më trajneri kryesor i ekipit të parë,” thuhet në deklaratën e klubit, i cili shtoi se e falënderon trajnerin italian “për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij gjatë periudhës që ai drejtoi ekipin dhe ishte pjesë e familjes Botafogo”, duke i uruar suksese në të ardhmen dhe duke paralajmëruar se stafi i ri do të shpallet së shpejti.
Ancelotti, 36 vjeç, i biri i trajnerit legjendar Carlo Ancelotti dhe ish-ndihmës te Real Madridi, Napoli e Evertoni, u emërua në korrik dhe regjistroi 15 fitore, 10 barazime dhe tetë humbje. Nën drejtimin e tij, Botafogo e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë dhe u eliminua në raundin e 16-tave të Copa Libertadores, rezultate që duket se nuk bindën drejtuesit e klubit për të vazhduar bashkëpunimin.
Burimi: botasot.info


