Konfederata e Punëdhënësve kërkon që për rritjen e pagave në shumën nga 600 deri në 6.000 denarë të lirohen nga kontributet sociale, ku edhe punëdhënësit edhe qeveria mund të ndihmojnë në drejtim të rritjes së pagave.
Mile Boshkov nga kjo konfederatë në intërvistë për Radion Evropa e Lirë tha se, ata duhet t’i përfaqësojmë interesat e të gjithë punëdhënësve, veçanërisht të ushtruesve të pavarur të veprimtarisë, sipërmarrësve të rinj dhe zejtarëve, të cilët kanë vështirësi për të siguruar të ardhura të qëndrueshme, në mënyrë që të mund të përballojnë rritjen e detyrimeve në lidhje me pagat dhe kontributet.
“Ka ndodhur në vendin tonë, por edhe në vende të tjera, që qeveria të marrë pjesë kur bëhet fjalë për standardin e qytetarëve. Prandaj ne ofruam një zgjidhje që jo subvencionimi, por lirimi nga kontributet sociale mund të jetë çelësi për rritjen – përkatësisht ulje të kostove të punëdhënësve në bazë të kontributeve sociale, por njëkohësisht edhe rritje të pagës neto për punëtorët. Këtu qeveria mund të marrë pjesë, megjithatë me gjasë është e vetëdijshme se në muajin mars bëhet harmonizimi, prandaj edhe e shtyn përfshirjen në këtë aktivitet”, tha Boshkov.
Boshkov tha se arsyetimin për “produktivitetin e ulët” bizneset e përdorin si preteks për të mos rritur pagën.
“Jo vetëm në sektorin privat por edhe në atë publik, punëdhënësit vërtet nuk dinë si ta matin produktivitetin, sepse nuk kanë investuar as në mjete, as në dije, as në teknologji – absolutisht në asgjë. Me përgjegjësi deklaroj se produktiviteti përdoret si një frazë boshe, si një justifikim për të mos e rritur pagën minimale. Dhe me përgjegjësi të plotë, duke marrë mbi vete gjithë rrezikun, them se punëdhënësit nuk e dinë, por duhet të mësojnë se çfarë do të thotë produktivitet dhe matje e produktivitetit”, tha Boshkov.
Burimi: botasot.info


