Shumë prej të rinjve shqiptar po orientohen drejt sipërmarrjes. Rreth ¼ e studentëve vitin e shkuar akademik sipas Institutit të Statistikave u diplomuan për biznes, administrim dhe ligj.
“Ka më shumë hapësira dhe mundësi pune, por mund ta bëjnë dhe ata që duan të nisin një start up apo që duan të nisin një biznes nga e para. Profesioni i ndihmon të arrijnë qëllimet profesionale dhe financiare.”
Të pëlqyera mbeten dhe degët shëndet dhe mirëqenie të cilat renditen në vend të dytë për numrin e atyre që kanë përfunduar studimet e larta sipas INSTAT me rreth 22% e studentëve te diplomuar.
“Trend i kohës për të rinjtë qe janë me mesatare të lartë apo ata që synojnë të marrin profesione të shpejta, me tre vite bachelor, licensohen dhe integrohen në treg. E kam fjalën për fizioterapinë, teknikë laboratori… dhe nevojat për këto profesione i bën më të kërkuara”.
“Tanimë dhe derivate të këtyre profesioneve po lindin si infermieri në familje komunitet…
Nga ana tjetër është tregu ndërkombëtar që i tërheq…”
Inxhinieritë tradicionale kanë rënë nga froni I para disa viteve. INSTAT i rendit në vend të tretë me 14% të diplomuarve në inxhinieri, prodhim dhe ndërtim. Vështirësitë e programeve të studimit sipas specialistëve bëjnë që shumë të rinj të mos arrijn t’i çojnë deri në fund degë të tilla. Por arsyet janë dhe të tjera.
“Një inxhiner ndërtimi, nëse dikur bënte dhe projektime tani e bën arkitekti se ka të drejtë license dhe inxhinierit i ka ikur një pjesë e punës..
Po konkurohet dhe teknologjia e informacionit, po del në pah roli i mbiznesit digjital që ka njohuri ekonomike, ndihmon bizneset të organizohen … tregu tani për profile TIK tradicional është tejngopur.”
Ndërsa shërbimet, bujqësia, shkencat natyrore dhe matematika janë programet e studimit ku interesi I të rinjve referuar të dhënave nga Instituti I Statistikave është më I ulët.
Rreth 29 mijë studentë u diplomuan në universitetet shqiptare gjatë vitit të shkuar akademik dhe rreth 65% e tyre sipas INSTAT janw vajza.
Por nëse vajzat janë ato që kryesojnë në shkollat e larta , djemtë zgjedhin më tepër arsimin profesional.
“Lidhet me mentalitetitn tonë për pavarësi në gjenerimin e të ardhurave.
Lidhet me hapjen e biznesit që ka të bëjë me një zanat… Sot po kërkohen specialistë të riparimit të makinave elektrike. Shkollat profesionale po adaptojnë kurrikulat ti përgjigjen nevojave te tregut.”
INSTAT thotë se ata që e përfunduan arsimin e lartë pësuan rritje me rreth 2.6% krahasuar vitin paraardhës. Më shumë se gjysma e tyre kanë studiuar në institucione publike.
Burimi: botasot.info


