bisedimet iran shba khamenei ushtria me e forte ne bote mund te goditet 6994aec2a9c45

Bisedimet Iran-SHBA, Khamenei: Ushtria më e fortë në botë mund të goditet…

February 17, 2026
min lexim

Raundi i dytë i negociatave midis Iranit dhe SHBA-së në Gjenevë ka përfunduar. Të dy delegacionet u larguan nga vendi i negociatave, pas bisedimeve që zgjatën rreth katër orë.



Delegacioni iranian u kryesua nga Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa pala amerikane u kryesua nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Të dy delegacionet zhvilluan takime të ndara me Ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr Al Busaidi, në konsullatën e Omanit. Deri më tani nuk ka asnjë tregues nëse është bërë ndonjë përparim mes dy vendeve.

Ndërkohë Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei paralajmëroi Donald Trump se përpjekjet e SHBA-së për të rrëzuar qeverinë e tij do të dështojnë.

“Presidenti amerikan vazhdimisht thotë se ushtria jonë është ushtria më e fortë në botë. Ushtria më e fortë në botë ndonjëherë mund të goditet aq fort sa nuk mund të ngrihet dot”, tha Khamenei duke theksuar se Trump nuk mund ta shkatërrojë Republikën Islamike.

Khamenei shtoi se Irani ka armë që mund t’i sjellin aeroplanmbajtëset amerikane – të cilat SHBA-të i kanë zhvendosur së fundmi në Lindjen e Mesme.

“Ata vazhdojnë të thonë se kemi dërguar një aeroplanmbajtëse drejt Iranit. Shumë mirë. Një aeroplanmbajtëse është sigurisht një pajisje e rrezikshme. Por më e rrezikshme se aeroplanmbajtësja është arma që mund ta dërgojë atë aeroplanmbajtëse në fund të detit”, tha ai.

Vetëm pak orë pasi filluan negociatat, agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars e Iranit raportoi se një pjesë e Ngushticës së Hormuzit do të mbyllen për disa orë për shkak të “masave paraprake të sigurisë”, ndërsa Garda Revolucionare elitare e Iranit kryen stërvitje ushtarake në rrugën më jetësore të eksportit të naftës në botë.

Ngushtica e Hormuzit ndodhet midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit dhe është e vetmja mënyrë për të transportuar naftë të papërpunuar nga Gjiri Persik. Irani kontrollon anën e saj veriore.

Rreth 20 milionë fuçi naftë, ose një e pesta e prodhimit global ditor, kalojnë nëpër ngushticë çdo ditë, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë.

Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar më parë se do ta mbyllin ngushticën përballë tensioneve me Perëndimin, një skenar që do të prishte masivisht transportin global të transportit detar.

Burimi: opinion.al

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

orce gjorgjievski arrihet marreveshja per perfundimin e bulevardit boris trajkovski 6994ae6384a1e
Lajmi i mëparshëm

Orce Gjorgjievski: Arrihet marrëveshja për përfundimin e bulevardit “Boris Trajkovski”

shfuqizohet ndalesa per qarkullimin e automjeteve te renda ne rrugen gostivar strazhe 6994b4e391a6b
Lajmi i radhës

Shfuqizohet ndalesa për qarkullimin e automjeteve të rënda në rrugën Gostivar-Strazhë

Të fundit nga

ShkoLartë