Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka dëshmuar me dyer të mbyllura para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimit që po zhvillohet mbi lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Dëshmia e Gates është regjistruar në formë të shkruar dhe jo me video, ndërsa transkriptimi i saj pritet të publikohet në një fazë të mëvonshme. Megjithëse ai nuk është akuzuar për asnjë shkelje që lidhet me Epstein, marrëdhënia mes tyre ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes publike.
Sipas informacioneve të bëra publike, Gates dhe Epstein kanë pasur kontakte profesionale dhe janë takuar në mënyrë të përsëritur mes viteve 2011 dhe 2014. Takimet lidhen me diskutime për krijimin e një fondi investimi, një projekt që nuk u realizua kurrë.
Vetë Gates e ka cilësuar më herët marrëdhënien e tij me Epstein si një “gabim të madh”, duke pranuar gjithashtu se ka pasur marrëdhënie jashtëmartesore me gra që njiheshin nga Epstein. Nga ana tjetër, zyra e tij ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e përfshira në dosjet e çështjes Epstein, duke i cilësuar ato si “plotësisht absurde”.
Ndër akuzat e mohuara përfshihen pretendime se Gates përdorte drogë, merrte pjesë në takime seksuale të paligjshme dhe se i kishte transmetuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme ish-bashkëshortes së tij, Melinda French Gates, duke i dhënë fshehurazi antibiotikë.
Para hyrjes në sallën e dëshmisë, Gates deklaroi para gazetarëve se po paraqitej vullnetarisht për të ndihmuar hetimin.
“Jam i lumtur që jam këtu vullnetarisht për të dëshmuar dhe për të ndihmuar punën e komisionit. Shpresoj që dëshmia ime të kontribuojë në përpjekjen e rëndësishme për t’u sjellë drejtësi viktimave”, u shpreh ai.
Ndërkohë, sipas raportimeve të The New York Times, Gates ka angazhuar ish-këshilltarin ligjor të komitetit, Jake Greenberg, për ta ndihmuar në përgatitjen e dëshmisë. Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje mbi procesin, pasi Greenberg ka qenë më parë pjesë e hetimit të komisionit për çështjen Epstein, përpara se të largohej nga detyra në dhjetor.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, Greenberg nuk do të marrë pjesë në dëshminë e Gates, pasi rregullat e etikës ndalojnë ish-zyrtarët e Kongresit të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me ligjvënësit për një periudhë njëvjeçare pas largimit nga detyra.
Burimi: botasot.info


