Ish-presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i është drejtuar me një letër presidentes së re të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry.
Bezhani vendos në dijeni drejtuesen më të lartë të IOC-së për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës për çështjen mes FSHF-së dhe KOKSH-it, ndërsa i bën apel Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që ta shikojë me imtësi këtë situatë. Më poshtë ju pasqyrojmë letrën e plotë të Bezhanit.
LETRA – “E nderuar zonja Kirsty Coventry! Në radhë të parë, ju uroj suksese në detyrën tuaj të re, si e para presidente femër në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Jam i bindur dhe shpresoj se rrugëtimi juaj në krye të familjes së madhe olimpike ndërkombëtare do të jetë i suksesshëm, ashtu sikurse ka qenë edhe karriera juaj sportive.
Përmes kësaj letre, kërkoj t’ju përcjell një problem shumë shqetësues që prej vitesh ka prekur Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), duke krijuar një rast të paprecedent se si institucioni më i rëndësishëm olimpik shqiptar injoron, madje kundërshton haptazi vendimet e marra nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë. Kjo ka bërë që ky institucion olimpik në Shqipëri të kthehet në një diktaturë, që prej vitesh komandohet dhe vepron nën urdhrat e një presidenti (Fidel Ylli) të zgjedhur dhe rizgjedhur në detyrë në kundërshti me ligjet, parimet dhe rregullat.
Këtë gjë nuk e them vetëm unë (Viron Bezhani), si president i shkarkuar me pa të drejtë nga drejtuesit aktualë, por edhe CAS i Lozanës, që e ka cilësuar si shkelje shkarkimin tim, zgjedhjen e drejtuesve të rinj dhe të gjitha vendimet e marra në këto vite (nga viti 2021 e në vijim). Për këto që po ju shkruaj ka një vendim zyrtar të CAS (qershor 2024), që është refuzuar të zbatohet nga KOKSH. Por, habia vijon edhe më tej, kur Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e apelon në gjykatat shqiptare këtë vendim të formës së prerë të marrë nga CAS!
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ishte ajo që zhvilloi një betejë të gjatë ligjore me KOKSH për shkeljet e evidentuara në Asamblenë e Jashtëzakonshme të 10 janarit 2021, duke e fituar atë në CAS të Lozanës. Por, ai vendim nuk u zbatua kurrë. Ndaj, FSHF, Federata më e madhe sportive në Shqipëri, ka vendosur së fundi të ndërpresë çdo marrëdhënie me institucionin olimpik shqiptar. Edhe Federata e Sportit Universitar dhe atij Shkollor ka dalë kundër KOKSH për shumë vendime e ndërhyrje në veprimtaritë e saj.
Unë si president kam ngritur zërin për këto shkelje prej vitesh, madje duke njoftuar edhe ish-presidentin e IOC, Thomas Bach, por nuk pati asnjë reagim. Për fat të keq, KOKSH nuk pranon asnjë auditim apo transparencë financiare dhe refuzon të njohë vendimet e CAS, të cilat po ua bëj me dije shkurtimisht si më poshtë.
Ja vendimet e CAS të Lozanës:
1-Vendimet e Asamblesë së KOKSH shpallen të pavlefshme: CAS ka shpallur të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH (10 janar 2021), e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.
2-Parregullsi Procedurale: CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.
3-Mbrojtja e të drejtave të FSHF-së: Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS ka vendosur në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.
4-Rimbursim Financiar: KOKSH është urdhëruar të paguajë 4,000 CHF për shpenzimet ligjore të FSHF-së dhe të mbulojë 90% të kostove të arbitrazhit, duke reflektuar rëndësinë e shkeljeve procedurale.
E nderuar zonja Presidente, Këto vendime mund t’i gjeni të publikuara edhe pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë e ndoshta mund të gjenden edhe në zyrën juridike të institucionit tuaj, pasi bëhet fjalë për shkelje të rënda nga KOKSH. Ky i fundit vijon punën, duke shkelur ligjet e duke refuzuar të njohë vendimet e marra nga institucionet e pavarura ndërkombëtare siç është Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.
Unë shpresoj që kjo letër bashkë me vendimet e marra nga CAS në Lozanë të shqyrtohen me imtësi nga ana juaj dhe IOC, për të vënë drejtësi. Me respekt, Viron Bezhani, President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar 2014-2021″.
Burimi: botasot.info


