Aktori shqiptaro-danez Besir Zeqiri vazhdon të bëjë emër në kinemanë evropiane. Ai luan në rolin kryesor në filmin danez “Løvehjerte” (“Zemër Luani”) të regjisorit Nagieb Khaja.
Filmi, me kohëzgjatje rreth 100 minuta, tregon historinë e Luanit, një 29-vjeçari që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në një bandë dhe që i ndjen gjithnjë e më shumë pasojat e atij mjedisi brutal. Sipas portalit Albinfo, në film luajnë pesë aktorë shqiptarë dhe filmi është ndër më të shikuarit në Danimarkë.
Nga roli i nominuar për Oscar te “Zemër Luani”
Zeqiri u bë i njohur për publikun ndërkombëtar me filmin “The Girl with the Needle” të regjisorit Magnus von Horn. Filmi ishte kandidatura zyrtare e Danimarkës dhe u nominua për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Në vitin 2025, Zeqiri u përzgjodh në programin evropian “Shooting Stars”, që çdo vit veçon aktorët e rinj më premtues të Evropës.
Rrënjët e tij janë në Tetovë. Në një intervistë për Telegrafin, aktori ka treguar se babai i tij erdhi në Danimarkë në vitin 1969, në moshën 15-vjeçare, si punëtor i ftuar.
Zeqiri fillimisht kishte menduar të bëhej polic, por pasioni për skenën e çoi drejt aktrimit kur iu bashkua një trupe teatrore në vitin 2009. Ai ka thënë se do të donte të luante edhe role të lidhura me identitetin e tij shqiptar.
Burimi: botasot.info

