Në rrethin e parë, kandidati i VMRO-DPMNE-së udhëhoqi me rreth 800 vota më shumë se kandidati shqiptar.
Votuesit në komunën e Bërvenicës zgjedhin sot kryetarin e ri në rrethin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme lokale. Përballen Stojançe Radiçevski, i koalicionit “Maqedonia Jote” të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Arkin Jahiji, i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI).
Zgjedhjet u bënë të nevojshme pas vdekjes së kryetarit Jovica Ilievski më 23 qershor. Sipas rezultateve zyrtare të KSHZ-së, në rrethin e parë më 18 tetor Radiçevski fitoi 2.945 vota dhe Jahiji 2.152. Jakup Huseini i VLEN-it mori 1.529 vota, ndërsa Jovica Radeski i LSDM-së 707.
Shifrat tregojnë se kandidatët shqiptarë së bashku morën më shumë vota se fituesi i rrethit të parë. Prandaj rezultati i sotëm varet kryesisht nga ajo se si do të votojnë mbështetësit e VLEN-it.
Kryeministri Hristijan Mickoski bëri fushatë vetë në Bërvenicë. Aty akuzoi qeveritë me BDI-në se për dy dekada u morën me “tendera e privilegje”. Ai u bëri thirrje edhe shqiptarëve, edhe maqedonasve të votojnë për Radiçevskin.
Gara shihet si test për raportet mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe mes VLEN-it, që është në qeveri, dhe BDI-së, që është në opozitë. Rezultatet pritet të dalin sonte.
Burimi: botasot.info

