Artisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Bertan Asllani, është një nga protagonistët kryesorë të serialit të ri turk “Mercan Koşk”, i cili ka nisur transmetimin në televizionin atv më 5 shtator 2026.
Seriali sjell një histori dashurie të pamundur, intriga dhe përplasje mes dy familjeve rivale, Mercandağ dhe Hozan, me ngjarjet që zhvillohen në Tarsus, në një atmosferë të mbushur me sekrete dhe konflikte familjare.
Në qendër të historisë është Cemre, e cila pas zhdukjes misterioze të bashkëshortit të saj Asil në ditën e dasmës në Qipro, udhëton drejt Tarsusit për ta kërkuar atë.
Aty ajo përfshihet në botën misterioze të “Mercan Köşk”.
Në serial, Bertan Asllani interpreton personazhin Toprak Mercandağ, duke ndarë ekranin me aktorë të njohur turq si Kubilay Aka dhe Hafsanur Sancaktutan.
Bertani është një artist shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon karrierën e tij në Turqi.
Përveç muzikës, është angazhuar edhe në aktrim, duke u bërë pjesë e disa prej serialeve të njohura turke.
Gjatë karrierës së tij në Turqi, Asllani ka interpretuar role në projekte të ndryshme televizive dhe ka arritur të ndërtojë një emër të njohur në industrinë e serialeve turke.
Tashmë, me rolin në “Mercan Köşk”, aktori shqiptar rikthehet në një projekt të ri, këtë herë në një nga rolet kryesore të historisë që po tërheq vëmendjen e publikut.
Por për publikun shqiptar, Bertan mbetet edhe artisti i hiteve që dikur pushtuan skenën muzikore.
Para se të zhvendoste fokusin te aktrimi, ai ishte i njohur si këngëtar dhe producent, me disa këngë të suksesshme që u dëgjuan gjerësisht nga publiku shqiptar si “Kujt i thua xhan” dhe “Akoma të dua”.
Sot, duket se e ka lënë muzikën pas, për t’i dhënë një tjetër dimension karrierës së tij në ekranet turke.
Burimi: botasot.info


