Bebe Rexha ka zbuluar një tjetër anë të saj larg skenës, duke treguar gjatë një paraqitjeje në emisionin amerikan “TODAY” për pasionin që ka për gatimin dhe veçanërisht për ushqimet tradicionale shqiptare.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore tha se i pëlqen të kalojë kohë në kuzhinë dhe se disa prej gatimeve që përgatit më mirë janë ushqimet shqiptare.
“Më pëlqen të gatuaj ushqim shqiptar. Jam shumë e mirë në gatimin e groshës, që është si një lloj supe, dhe pastaj në speca, të cilat i gatuaj me mazë. Jam shumë e mirë në plot gjëra”, u shpreh Rexha.
Kjo deklaratë nxori në pah lidhjen e saj me trashëgiminë shqiptare edhe jashtë muzikës. Rexha ka folur edhe më herët për prejardhjen e saj shqiptare dhe mënyrën se si e ka përfshirë atë në projektet muzikore, përfshirë këngën “Çike Çike”.
Ndërkohë, artistja po shijon suksesin e albumit të saj “Dirty Blonde”, me të cilin ka hyrë në një kapitull të ri si artiste e pavarur. Albumi përfshin edhe këngën “New Religion”, në bashkëpunim me Faithless.
Paraqitja në “TODAY” vjen në kuadër të promovimit të albumit dhe të angazhimeve të saj të fundit muzikore, ndërsa Rexha po vazhdon të ndajë me publikun edhe momente nga jeta e saj personale.
Burimi: botasot.info


