Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se po ndjek nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt nga qeveria shqiptare. Sipas BE-së, çdo nismë ligjore që lidhet me gjyqësorin duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe acquis-in e Bashkimit Europian, duke respektuar pavarësinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Në veçanti, BE-ja thekson rëndësinë që Kuvendi i Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij, si pjesë e luftës efektive kundër korrupsionit dhe përparimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
BE-ja gjithashtu paralajmëron se retorika që nxit mosbesim publik ndaj gjyqësorit, pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale është kundërproduktive.
“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi jetike për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE,” thekson BE-ja në përgjigjen e saj për media.
Burimi: botasot.info


