be ja mirepret krijimin e institucioneve te reja te kosoves 698ed06edd721

BE-ja mirëpret krijimin e institucioneve të reja të Kosovës

February 13, 2026
min lexim

Drejtuesja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas pret avancim të marrëdhënieve Kosovë-BE. Kallas paralajmëroi organizimin së shpejti të një takimi të nivelit të lartë Kosovë-Serbi.

Drejtuesja e BE të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian Kaja Kallas uroi Albin Kurtin për zgjedhjen kryeministër i qeverisë së Kosovës.Fotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP Photo/picture alliance

Formimi i qeverisë së re të Kosovës cilësohet si një zhvillim inkurajues pas më shumë se një viti bllokim politik. Drejtuesja e BE të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian Kaja Kallas uroi Albin Kurtin për zgjedhjen kryeministër i qeverisë së Kosovës, duke thënë se “ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës”.

“Ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, shkroi Kallas në platformën X, duke paralajmëruar kështu një takim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas Kallas, pas krijimit të qeverisë së re, ajo që ka rëndësi është që të ecët me shpejtësi me reformat. “Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të pasur përparim në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi më tej Kallas.

Kurti: Dialog konstruktiv, jo ndërhyrje në çështje të brendshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit foli shkurt edhe për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke kërkuar dialog konstruktiv. “Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv, marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve si raport i jashtëm, e jo ndërhyrje në çështje të brendshme”, tha Kurti.

Ndër punët e para të qeverisë së tij, Kurti përmendi domosdoshmërinë e miratimit në parlament të marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me marrjen e fondeve të BE-së për Kosovën, të bllokuara prej një viti.

Kos: “Lajm i mirë nga Prishtina sot

Edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e përshëndeti formimin e qeverisë së re të Kosovës dhe uroi kryeministrin Kurti, duke u shprehur se “pret me padurim për të vizituar Kosovën”. “Lajm i mirë nga Prishtina sot. Kuvendi është në detyrë. Një qeveri e re ka marrë detyrën. Urime Kryeministër Albin Kurti. Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve të plota të Planit të Rritjes në Kosovë”, shkroi Marta Kos në platformën X.

Böttcher: Gjermania një partnere e fortë dhe e besueshme

Ndër të parat nga ambasadat e vendeve të BE-së në Kosovë që përshëndeti konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së Kosovës ishte Ambasada Gjermane në Prishtinë, përmes zëvendësambasadorit Christian Böttcher. “Duke u ndërtuar në marrëdhënie të ngushta dhe unike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, mezi presim të vazhdojmë dhe thellojmë më tej bashkëpunimin tonë bilateral në fushat e ekonomisë, sigurisë, politikës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kosova nuk ka vetëm një mik, por një partner të fortë dhe të besueshëm – Gjermaninë”, shkroi Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Spiropali: “Kosova është pjesë e pandashme e zemrës sonë kombëtare”

Krijimin e institucioneve të reja, konstituimin e Kuvendit dhe qeverisë së re të Kosovës e përshëndeti edhe ministrja e jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila uron, siç thotë për këtë, “përgjegjësi të lartë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës”. “Kosova është pjesë e pandashme e zemrës sonë kombëtare dhe e horizontit tonë të përbashkët evropian. Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës, me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin e saj drejt familjes euroatlantike”, shkroi Spiropali.

Me dy seanca të njëpasnjëshme të mërkurën në mbrëmje (11.02.2026), u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe u formua qeveria e re me kryeministër Albin Kurti. Pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë, u hap rruga për zgjedhjen edhe të presidentes apo presidentit të vendit, ku afati i fundit për këtë votim në parlament është 4 marsi. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka mandat deri më 4 prill dhe, sipas Kushtetutës, presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date. Vjosa Osmani tashmë është deklaruar se dëshiron edhe një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit, por tash për tash ende nuk dihet nëse arrin të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në rast se deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti, vendi, sipas Kushtetutës, automatikisht shkon në zgjedhje të reja.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

kembimi valutor 13 shkurt me sa blihen e shiten dollari dhe euro cfare ndodh me monedhat e tjera 698ed05aa81d8
Lajmi i mëparshëm

Këmbimi valutor 13 shkurt/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Të fundit nga

ShkoLartë