Bayern Munich ka konfirmuar zyrtarisht se është në bisedime për një kontratë të re me sulmuesin anglez Harry Kane, i cili pritet të mbetet pjesë kyçe e projektit të klubit bavarez edhe pas vitit 2027. Konfirmimi erdhi nga drejtori sportiv Max Eberl gjatë një aktiviteti të Bundesligës në Frankfurt, duke nënvizuar se procesi është në zhvillim dhe se vendimi do të merret në kohën e duhur.
Në një sqarim për situatën kontraktuale, Eberl theksoi se “po flasim me Harry-n, po flasim”, duke shtuar se “të gjithë e dinë se në një moment duhet të merret një vendim”. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv Jan-Christian Dreesen theksoi stabilitetin e Kane në Mynih, duke deklaruar se “Harry ka besim të madh tek ne dhe ndihet rehat në Mynih”, si dhe se “ai dhe familja e tij janë ambientuar, prandaj nuk kemi absolutisht asnjë arsye për t’u nxituar”.
Kane, i cili iu bashkua Bayernit në vitin 2023 dhe i dha fund pritjes së gjatë për trofe në vitin 2025 me fitimin e Bundesligës, po kalon një tjetër sezon të jashtëzakonshëm. Bayern kryeson kampionatin me tetë pikë diferencë dhe renditet i dyti në tabelën e Ligës së Kampionëve me 36 skuadra. Sulmuesi 32-vjeçar ka shënuar 119 gola në 126 ndeshje për klubin bavarez, me 30 asistime, ndërsa këtë sezon ka realizuar 34 gola në 30 paraqitje.
Me 21 gola në 19 ndeshje të Bundesligës, Kane është në rrugë të mirë për të thyer rekordin historik të Robert Lewandowskit prej 41 golash në një sezon. Në tetor, vetë Kane kishte deklaruar se mund ta “imagjinonte” zgjatjen e qëndrimit të tij në Gjermani, një sinjal i qartë për vazhdimësinë në Mynih.
Burimi: botasot.info


