Të dizenjosh me gjuhën e Inteligjencës Artificiale (IA) barna me efikasitet më të lartë duket tashmë një mision i mundur.
Këtij projekti i janë futur kërkuesit e Departamentit të Farmaceutikës në Fakultetin e Mjekësisë, të cilët konfirmojnë për RTSH se po përpiqen të krijojnë strukturat e suksesshme, që më pas do të jenë pjesë e formulimeve të reja medikamentoze për të vepruar në një segment të caktuar.
“Kemi arritur që të kemi një platformë të Inteligjencës Artificiale, e cila ka një shpejtësi të lartë, nga më të lartat në Ballkan, ku praktikisht bëhet një lloj parashikimi se cili nga barnat apo strukturat e reja do të jetë më efikas, më veprues për një receptor të caktuar. Kjo pastaj e lidh gjithë zinxhirin. Kombinimi i Inteligjencës Artificiale në çon më pas tek strukturat e suksesshme e më pas tek formulimet e suksesshme, të cilat bëhen me këto struktura, dhe më pas certifikimi këtyre formulimeve në laboratorin referent mbyll gjithë ciklin e një misioni farmaceutik, qoftë për studentët, qoftë për stafin, por edhe për komunitetin, duke garantuar një cilësi që vërtet kërkohet, që tek produktet bimore, qoftë tek produktet që janë OTC, qoftë edhe te madikamentet me recetë,” thotë pedagogia Entela Haloci.
Aktualisht formulimi farmaceutik që po zhvillon Departamenti i Farmaceutikës, falë mbështetjes së platformës me Inteligjencën Artificiale, është në bashkëpunim me profesorë shqiptarë nga diaspora.
“Jemi duke testuar, në bashkëpunim me diasporën, me një nga kërkuesit shqiptarë në Universitetin e Glasgout, i cili bën interpretimin e të dhënave, një komponim me polimere (makro-molekula) të ndryshme. Normale që do të kërkojë kohë. Pjesa e testimit me IA do kohë, por gjithsesi kjo do t’i hapë rrugë formulimeve të tjera dhe strukturave të reja,” shton Prof. Haloci.
Stafi i kërkuesve të Farmaceutikës në Fakultetin e Mjekësisë janë optimistë se falë IA dhe pajisjeve të reja që do të ketë laboratori referent, do të mund te jenë konkurrentë më kolegët e tyre në rajon e më gjerë.
Ministrja e shëndetësisë, Evis Sala, e ka vendosur në detyrat e para të saj IA-në, pasi falë saj diagnozat mund të shpejtohen, koha e pritjes zvogëlohet dhe çdo pacient mund të marrë në kohë trajtimin e përshtatshëm.
Burimi: botasot.info


