Barcelona ka zyrtarizuar sot rinovimin e kontratës me një nga talentet më premtuese të akademisë, mesfushorit Ebrima Tunkara.
Lajmi është konfirmuar nga Fabrizio Romano, i cili bën të ditur se marrëveshja është nënshkruar pasditen e sotme, pavarësisht interesimit të madh nga disa klube të tjera.
Tunkara, vetëm 15 vjeç, ka bërë tashmë debutimin e tij me Barça B, duke tërhequr vëmendjen e skautëve evropianë falë paraqitjeve të tij dhe potencialit të madh. Sipas burimeve pranë klubit, disa skuadra kishin tentuar të “rrëmbenin” talentin e ri, por Barcelona ka lëvizur shpejt për të siguruar të ardhmen e tij në Camp Nou.
Palët kanë rënë dakord për të gjitha kushtet e kontratës, me klubin katalanas që vazhdon politikën e investimit te lojtarët e rinj dhe mbrojtjes së talenteve të dalë nga akademia. Te Barcelona besojnë se Tunkara mund të jetë një emër shumë i rëndësishëm për të ardhmen, duke e konsideruar si një “perlë” në formim.
Rinovimi i Tunkarës konfirmon edhe një herë strategjinë e Barcelonës për të ndërtuar të ardhmen mbi baza të forta, duke u fokusuar te talentet e reja që premtojnë shumë.
Burimi: botasot.info


