Kryetari i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Taulant Balla e cilësoi reformën në drejtësi një nga dëshmitë më domethënëse të përparimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë, ai tha se ndryshimet kushtetuese dhe institucionet e krijuara prej reformës i kanë dhënë sistemit të drejtësisë mundësinë të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të gjykojë edhe zyrtarë të niveleve të larta.
Sipas Ballës, sfida e Shqipërisë para reformës nuk ishte vetëm korrupsioni, por edhe mungesa e institucioneve të pavarura e të fuqishme për ta luftuar atë. Ai tha se sistemi i mëparshëm nuk kishte kapacitetin e nevojshëm për të vepruar kur dyshimet përfshinin individë me pushtet politik ose publik.
Ai vlerësoi se drejtësia ka sot kapacitete që i mungonin prej kohësh, përfshirë mundësinë për t’iu përgjigjur shkeljeve dhe për të korrigjuar problemet brenda sistemit.
Kreu i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri tha se mbështetja për institucionet e pavarura të drejtësisë dhe strukturat e specializuara kundër korrupsionit duhet të jetë e palëkundur, pavarësisht kostos politike apo nivelit të pushtetit të personave të përfshirë.
Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se pavarësia e drejtësisë duhet të ushtrohet brenda kufijve të Kushtetutës dhe në respekt të të drejtave të njeriut. Sipas tij, prezumimi i pafajësisë, procesi i rregullt ligjor, fshehtësia e hetimit dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbeten në qendër të veprimtarisë së institucioneve.
Për këtë arsye, Balla tha se faza e ardhshme e reformës duhet të përqendrohet te konsolidimi i sistemit dhe ngritja e standardeve, duke garantuar njëkohësisht zbatimin e standardeve kushtetuese dhe evropiane për mbrojtjen e të drejtave individuale. “Po ndërtojmë një sistem ku askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është jashtë mbrojtjes së ligjit”, u shpreh ai.
Balla tha se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në Krishtlindjet e vitit të ardhshëm, objektiv që e cilësoi ambicioz. Ai kërkoi mbështetjen e parlamenteve të vendeve të BE-së për ratifikimin në kohë të traktatit të aderimit dhe u bëri thirrje që çështja të mos lihet në fund të agjendave parlamentare.
Burimi: botasot.info


