balla per protesten e studenteve doreheqja e rames nuk ka per te ndodhur kurre zgjedhjet vetem me vote 6adf433e21d38

Balla për protestën e studentëve: Dorëheqja e Ramës nuk ka për të ndodhur kurrë, zgjedhjet vetëm me votë

October 26, 2026
1 minut lexim

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, në një kohë kur studentët vijojnë protestat kundër qeverisë.

Në një prononcim për mediat, Balla deklaroi se mazhoranca është e gatshme të zhvillojë dialog me studentët për çështjet që ata kërkojnë të adresojnë, por theksoi se bisedimet nuk mund të zhvillohen me personat që, sipas tij, përdorin dhunën gjatë protestave.

“Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur kurrë. Dorëheqje nuk ka. Dialog pa dyshim, përjashto seksionin e dhunës së PD-së”, u shpreh Balla.

Ai përsëriti ftesën e kryeministrit për dialog, duke u bërë thirrje studentëve që t’i paraqesin qeverisë listën me çështjet dhe kërkesat që duan të diskutojnë.

Balla u ndal edhe te mbështetja financiare për studentët, duke deklaruar se studentët ekselentë përfitojnë trajtim të veçantë, ndërsa ata që vijnë nga familje në nevojë, sipas tij, përjashtohen nga tarifat dhe marrin 100 euro nga shteti.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së iu referua edhe zhvillimeve në Serbi, duke u kërkuar studentëve shqiptarë të marrin shembull nga lëvizja studentore atje. Sipas Ballës, ndryshimi i pushtetit në një sistem demokratik realizohet përmes zgjedhjeve dhe votës.

“Studentët të marrin shembull nga studentët në Serbi. Kishte një protestë, zgjati për tre vite me radhë, në fund u konkretizua me votë. Shkuan në zgjedhje. Vota është ajo që përcakton dhe në demokraci harrojeni se mund të ketë ndryshim pushteti pa votë”, deklaroi ai.

Deklaratat e Ballës vijnë në një moment kur protesta e studentëve vijon të shoqërohet me kërkesa politike dhe sociale, ndërsa ftesa e qeverisë për dialog nuk ka sjellë deri tani një zgjidhje të përbashkët mes palëve.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

aleanca kerkon shkarkimin e zyrtareve pergjegjes per vrasjen e arlinda zekajt 6adf42e071723
Lajmi i mëparshëm

Aleanca kërkon shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për vrasjen e Arlinda Zekajt

reperja nicki minaj krah trumpit ne michigan i ka dhene vendit nje te ardhme 6adf4341939df
Lajmi i radhës

Reperja Nicki Minaj krah Trumpit në Michigan: I ka dhënë vendit një të ardhme

Të fundit nga

ShkoLartë