Aleanca ka kërkuar shkarkimin e zyrtarëve në të gjitha nivelet institucionale që kanë pasur përgjegjësi në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra dje në Vitomiricë të Pejës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, e ka cilësuar rastin jo vetëm si femicid, por edhe si dështim të shtetit dhe të hierarkisë institucionale, duke përmendur institucionet e sundimit të ligjit, Policinë dhe qendrat për punë sociale.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai tha se të gjithë ata që, përmes mosveprimit, kanë kontribuar në këtë situatë duhet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa kërkoi shkarkimin e personave përgjegjës në të gjitha nivelet.
Aleanca kërkon shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për vrasjen e Arlinda Zekajt
“Këtë akt barbar nuk e shohim vetëm si femicid, por edhe si dështim të shtetit të Kosovës. E shohim si dështim të hierarkisë institucionale të shtetit të Kosovës, duke përfshirë institucionet e sundimit të ligjit, Policinë dhe qendrat për punë sociale. Të gjithë ata që, në një formë apo tjetër, duke mos vepruar, na kanë sjellë një plagë. Aleanca kërkon shkarkimin në të gjitha nivelet të atyre që kanë pasur të bëjnë me rastin në fjalë. Aleanca kërkon komision hetimor në Kuvend që t’i hyjë kësaj teme, por edhe rasteve të tjera për hetim parlamentar. Aleanca po ashtu kërkon që të gjitha rastet që ndërlidhen me aspektin social të kenë trajtim të veçantë”, tha ai.
Tahiri ka folur edhe për rikthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend. Ai ka thënë se Aleanca ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion që Zyra Ligjore e Kuvendit të përcaktojë procedurat e sakta për mënyrën se si do të procedohet me miratimin ose amendamentimin e këtij ligji.
Sipas tij, kjo kërkesë ende nuk është trajtuar, ndërsa vonesat në këtë proces nuk janë në funksion të kauzës kombëtare.
Rikthimi i Ligjit për Specialen në Kuvend, ky është qëndrimi i Tahirit
“Aleanca, si Grup Parlamentar, ka kërkuar në Komisionin për Legjislacion që Zyra Ligjore e Kuvendit të përcaktojë procedurat e sakta se si do të ndodhë miratimi apo amendamentimi i këtij ligji. Kjo nuk ka ndodhur dhe kjo zgjatje nuk është në funksion të kauzës sonë kombëtare”, tha ai.
Burimi: botasot.info


