Prej muajsh po grumbullohen raste, të dhëna dhe ankesa që ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po realizohen **punësimet dhe avancimet në institucionet shtetërore.
VLEN vazhdimisht flet për meritokraci, përfaqësim të drejtë dhe mbi **2.500 punësime e avancime** të realizuara. Nëse këto shifra janë të sakta, atëherë qytetarët kanë të drejtë të dinë **ku, si dhe mbi çfarë kriteresh janë bërë këto punësime dhe avancime.
Prandaj, VLEN duhet t’i bëjë publike të dhënat e plota: institucion për institucion, konkurs për konkurs dhe pozitë për pozitë.
Sepse të dhënat e publikuara deri tani japin një pasqyrë krejt tjetër.
Në një seri prej **136 punësimesh në institucione shtetërore**, vetëm **5 persona ishin shqiptarë**. Në një analizë tjetër të 205 punësimeve dhe avancimeve**, vetëm **2 rezultonin shqiptarë**. Ndërsa në **NOMAGAS**, nga **102 punësime të raportuara**, vetëm **19 ishin shqiptarë**.
Shifrat janë shqetësuese edhe në sektorë të tjerë.
Para pak ditësh u bë publik rezultati i pranimeve në **Shkollën e Mesme të Policisë**, ku nga **310 të pranuar**, vetëm rreth **9 ishin shqiptarë**.
Ndërkohë, në opinion është ngritur edhe rasti i **Mevludin Amidit në Postën e Maqedonisë**, i cili pretendon se, pavarësisht arsimit të lartë dhe përvojës shumëvjeçare, është anashkaluar në procesin e avancimit, ndërsa persona me nivel më të ulët arsimor janë avancuar. Amidi tashmë ka dorëzuar **ankesë zyrtare** dhe kërkon transparencë mbi kriteret e përdorura.
Në anën tjetër, VLEN pretendon se gjatë kësaj periudhe ka realizuar **mbi 2.500 punësime dhe avancime**.
**Mirë. Atëherë publikojeni listën.**
Qytetarët kanë të drejtë të marrin përgjigje të qarta:
– Në cilat institucione janë bërë këto punësime dhe avancime?
– Sa janë **punësime të reja** dhe sa janë **avancime**?
– Sa prej tyre janë shqiptarë?
– Në cilat pozita janë punësuar?
– Sa prej tyre janë në **pozita udhëheqëse**?
– Cilat kanë qenë kriteret për përzgjedhjen dhe avancimin?
**Punësimi në institucionet publike nuk është pronë e VLEN-it, VMRO-së apo e cilësdo parti tjetër politike.
Institucionet shtetërore u përkasin qytetarëve.
Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje dhe favore partiake. Kërkojnë mundësi të barabarta, transparencë dhe respektim të meritës.
VLEN erdhi në pushtet duke premtuar ndryshim, meritokraci dhe përfaqësim të drejtë.
Pas dy vitesh, është koha që këto premtime të maten me shifra.
Publikoni të dhënat. Tregoni ku janë bërë 2.500 punësimet dhe avancimet. Dhe jepni llogari para qytetarëve.
Burimi: lajmpress.org


