Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, duhet t’ua shpjegojë studentëve shqiptarë se çfarë ka ndryshuar nga shkurti deri në tetor. Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi i tij?, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
“Në shkurt të këtij viti, si profesor universitar, Shasivari e cilësonte refuzimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe si shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve. Madje argumentonte se qëllimi i provimit është vlerësimi i njohurive juridike dhe jo testimi i njohjes së gjuhës maqedonase.
Sot, si ministër i Drejtësisë, i njëjti profesor u ofron studentëve 12 lëndë në shqip dhe dy në maqedonisht, duke e paraqitur këtë si arritje.
Në maj, VLEN premtonte se zgjidhja nuk do të ishte gjysmake, por e plotë dhe afatgjatë. Pesë muaj më vonë, ministri i tyre ofron pikërisht një zgjidhje të pjesshme, të cilën studentët e refuzuan.
Edhe më ironike është deklarata e Shasivarit se “Do të flitet shqip o taj”, ndërkohë që propozimi i tij parashikon që një pjesë e provimit të vazhdojë në maqedonisht.
Studentët nuk kërkuan slogane dhe as përllogaritje me orë e kalkulatorë. Ata kërkuan mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japin tërësisht në gjuhën shqipe.
Shasivari duhet të tregojë mbi cilën dispozitë ligjore e mbështet kufizimin e dy lëndëve praktike. Nëse në shkurt e konsideronte këtë të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, përse sot kërkon interpretime dhe konsultime të reja?
Ligjet nuk ndryshojnë sipas pozitës që mbani. Parimet juridike nuk mund të vlejnë ndryshe për profesorin Shasivari dhe ndryshe për ministrin Shasivari”, thonë nga ASH.
Burimi: botasot.info

