Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vendosur në qendër të hetimeve punonjësin e Policisë së Sarandës, Ajdin Islamaj, i cili në kohën e ngjarjes ushtronte detyrën e Specialistit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Në vijim të hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, AMP ka siguruar prova të reja në kuadër të procedimit penal nr. 304/2026.
Sipas aktit të ekspertimit teknik, në një pasuri në pronësi të babait të shtetasit nën hetim, ku edhe banon Ajdin Islamaj, janë kryer punime ndërtimore pa lejen e autoriteteve kompetente.
Punimet konsistojnë në shtimin e një kati mbi një objekt ekzistues dykatësh, si dhe ndërhyrje të tjera ndërtimore dhe rikonstruktive për ta përshtatur godinën në funksion akomodimi.
Ekspertiza ka arritur në përfundimin se struktura e realizuar përbën ndërtim të ri dhe kërkonte pajisjen me leje ndërtimi. Nga verifikimet nuk ka rezultuar asnjë leje e miratuar për realizimin e katit shtesë.
Hetimet kanë evidentuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është jo më pak se 159 metra katrorë dhe ka funksion hotel.
Burimi: botasot.info


