Nëse ndjeni erë të pakëndshme nga kondicioneri i makinës suaj, mund të bëni vetë dezinfektimin. Për më tepër, herë pas here (një herë në vit ose një herë në dy vjet) do të ishte mirë ta bëni këtë edhe për pastrimin e sistemit nga kërpudhat dhe bakteret që mund të shumohen aty. Për shkak të tyre, mund të zhvilloni simptoma të ngjashme me ato të ftohjes.
Një nga opsionet është të çoni makinën në servis dhe ta lini profesionistët ta bëjnë këtë punë (kjo rekomandohet gjithmonë). Nëse nuk keni kohë, dezinfektimin e kondicionerit mund ta bëni edhe vetë.
“Ekzistojnë sprej të veçantë për pastrimin e kondicionerit, të cilët i vendosni në dyshemenë e veturës, nën pjesën plastike të panelit”, shpjegon këshilltari teknik në HAK, Marin Morava.
Sprejin vendoseni në dyshemenë pranë vendit të pasagjerit, poshtë tij vendosni një pecetë të madhe ose një peshqir.
Nxisni veturën të ndizet, ndizni edhe kondicionerin dhe vendoseni në recirkulim të ajrit. Mbyllni të gjitha dyert dhe lini motorin të punojë për rreth 15 minuta. Sigurohuni që të keni gjithmonë me vete çelësin rezervë në mënyrë që automjeti të mos mbyllet aksidentalisht. Kostoja nuk do të jetë e madhe, sepse çmimi i mjetit për pastrim fillon nga 7 euro.
Kondicionerin mund ta pastroni edhe me një shkumë të veçantë, por kjo është pak më komplekse. Duhet të hiqni filtrin e kondicionerit dhe një pjesë të përmbajtjes ta zbrazni në avulluesin e kondicionerit, ndërsa pjesën tjetër në të gjitha hapjet e ventilimit – me ndihmën e një tubi të lidhur me shkumën, i cili duhet futur sa më thellë në hapjet e ventilimit të veturës.
Lëreni shkumën të veprojë për gjysmë ore, pastaj ndizni motorin dhe kondicionerin në ventilimin më të fuqishëm. Të gjitha hapjet e ventilimit duhet të jenë – të hapura! Çmimi i shkumës për pastrimin e kondicionerit fillon nga 9 euro.
Mos harroni, është e rekomanduar të ndërroni filtrin e kabinës dy herë në vit (shumë prej njerëzve nuk e bëjnë shpesh këtë) ose të paktën një herë në pranverë. Papastërtitë që grumbullohen në filter zvogëlojnë rrjedhën e ajrit dhe efikasitetin e sistemit të ventilimit.
Burimi: botasot.info


